E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria progres në rrugën drejt BE-së, pavarësisht zhurmës së dezinformimit - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se progresraporti është në radhë të parë pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama u shpreh se “kjo dëftesë mua më gëzon, sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe nga kanalet e dezinformimit publik”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria vijon punën çdo ditë me synimin për të realizuar objektivin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur këtu sot në këtë konferencë të posaçme shtypi. Objektivi historik i bashkimit përfundimtar të vendit tonë me Europën dhe moslejimi i humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me jashtëzakonisht shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga ai që unë e quaj, dhe ju e cituat, rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Sa i përket pyetjes së gazetarëve lidhur me akuzat e kryebashkikaut Veliaj, kreu i qeverisë tha se “të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë nëpër bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”.

/k.s/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›