“Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht!”- Rama kërcënon protestuesit: Ata që ngrenë dorën kundër policisë dhe bllokojnë rrugën do ta marrin përgjigjen ligjërisht dhe administrativisht
Kryeministri Edi Rama, në fund të konferencës me ambasadoren e Bashkimit Evropian, kërcënoi sërish të rinjtë që kanë dalë në protestë kundër tij, duke theksuar se ata do të përballen në mënyrë ligjore dhe administrative.

Rama pretendoi se tre grupe studentësh, që kanë kërkuar të dialogojnë me të në kuadër të thirrjes së tij për të adresuar shqetësimet e tyre, janë penguar dhe kërcënuar nga ato që ai i cilësoi si “pseudostudentë”.
“Siç e kam paralajmëruar, nesër do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujtdo që është i interesuar, i dialogut, që iu ofrohet të gjithëve atyre që duan të ndërveprojnë me mua e qeverinë për çdo çështje që e shohin me rëndësi. Dritare dialogu për studentët që kërcënohen nga pseudo studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që iu çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon për të hedhur hapin e dialogut.
Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë online dhe offline nga këto lloj pseudosh në përpjekjen për të ardhur në takim me mua pa kamera, pa foto dhe pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra e mbiemra, të dekonspiruar dhe të bullizuar në ekstrem.
Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë. Unë nuk jam më as student dhe as pedagog. Por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog, dhe bashkë me studentë kam dalë kundër një regjimi real, jo një regjimi imagjinar vetëm për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua. Kush mendon se me frikën, trembjen, kërcënimin e dhunën, do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe mbi rrugëtimin tonë i ka bërë llogaritë gabim.
Do ta marrë përgjigjen hap pas hapi ligjërisht siç po e marrin, edhe penalisht dhe administrativisht. Edhe ata që ngrenë dorën kundër policisë e shtetit dhe ata që bllokojnë rrugët dhe nuk duan për të tjerët që janë në qytetin e tyre dhe të drejtën që të lëvizin lirisht dhe në lirinë e tyre të thonë atë që duan dhe të shkojnë aty kur duan.”, tha ai.