E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria s’ka nevojë për juristë, por për ata profesionistë që përgatit UBT

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se falë bashkëpunimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) me Universitetin BOKU, është arritur një reformë radikale në procesin e zhvillimit të kurrikulave.

Ai theksoi se kjo reformë ka spostuar të gjithë procesin e përgatitjes së kurrikulave nga duart e shefave të departamenteve në duar të një komisioni të brendshëm dhe vetë studentëve.

“Kjo reformë ka bërë një ndryshim të thellë dhe ka sjellë një shndërrim të rëndësishëm, duke përfshirë studentët në procesin e krijimit të kurrikulave, që më parë është kontrolluar nga shefave të departamenteve në duar të një komisioni të brendshëm dhe vetë studentëve”, theksoi Rama.

Kryeministri gjithashtu shprehu bindjen se deri në vitin 2030, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe BOKU do të funksionojnë si njësi të integruara, duke e bërë UBT-në antenë të BOKU në rajon.

Për sa i përket nevojave të Shqipërisë për profesionistë, Rama theksoi se vendi nuk ka nevojë për juristë, pasi ka një numër të mjaftueshëm të tyre, madje mund të eksportojë juristë në Ballkan dhe në kontinente të tjera.

“Shqipëria që pret të anëtarësohet në Bashkimin Europian ka nevojë për ata profesionistë që përgatit UBT”, deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se Shqipëria, ashtu si dhe Europa dhe gjithë bota, përballet me sfida të mëdha si ndryshimet klimatike, degradimi i mjedisit, motet ekstreme, humbja e ekosistemeve dhe ndikimi i tyre drejtpërdrejt në bujqësi, furnizimin me ujë dhe biodiversitetin.

Ai e konsideroi këtë një problem të pandashëm nga jeta e përditshme dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së.

“Aftësitë për të ndërtuar një bujqësi të qëndrueshme ndaj klimës, për të shfrytëzuar tokën në mënyrë të qëndrueshme dhe për të adresuar plagët e mjedisit, me dije dhe funksion që nuk e synon varfërimin, por mirëqenien e njerëzve, janë aftësi që Shqipërisë i mungojnë sot. Për këto aftësi, Shqipëria ka një nevojë të madhe që është gjithnjë e më e domosdoshme dhe që do të rritet akoma më shumë në vitet që vijnë”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›