E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy investime të reja fotovoltaike në Korçë për prodhimin e energjisë elektrike

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e dy centraleve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike në qarkun e Korçës, të cilat nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse. Vendimet parashikojnë vënien në operim të impianteve fotovoltaike brenda 36 brenda 36 muajve.

Projekti i parë do të realizohet në njësinë administrative Mbreshtan, Bashkia Kolonjë, nga shoqëria “TEKNO FIRE”, sh.p.k., me kapacitet të instaluar 102 MW dhe afat operimi 49 vjet.

Shoqëria është e detyruar të raportojë çdo tre muaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për ecurinë e punimeve, të respektojë lejet dhe autorizimet mjedisore, të dorëzojë sigurimin e kontratës dhe të ofrojë 2% të prodhimit vjetor falas në formë royalty për ministrinë përgjegjëse për energjinë.

Projekti i dytë do të realizohet në afërsi të fshatit Vërnik, njësia administrative Qendër Bilisht, Bashkia Devoll, nga shoqëria “KRONOS KONSTRUKSION”, sh.p.k., me kapacitet 50 MW dhe afat operimi po 49 vjet.

Detyrimet e shoqërisë përfshijnë raportimin periodik për ndërtimin, respektimin e lejeve mjedisore, sigurimin e kontratës dhe ofrimin e 2% të prodhimit vjetor për Ministrinë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit të projekteve, me synim verifikimin e cilësisë, konformitetit dhe përputhshmërisë me dokumentacionin e projektit.

Të dy vendimet synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme në vend dhe përforcimin e sektorit të energjisë elektrike, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve dhe sigurinë energjetike.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›