E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Suksesi në turizëm ka nxitur investimet e huaja, s’vijnë për krahun e lirë të punës e as për të shkatërruar natyrën

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë suksesit të Shqipërisë në turizëm sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe nga sipërmarrja e huaj për të investuar në vend.

Gjatë punimeve të Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama u ndal në fjalën e tij tek interesi i kompanive të huaja për të investuar në turizëm, ndërsa e konsideroi të gabuar idenë se ata vijnë për krahun e lirë të punës.

“Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasur dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi apo Filipinet, sepse duan t’i paguajnë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është gënjeshtër e madhe që të mendohet kështu. Ne nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj”, u shpreh Rama.

Sipas tij, deri përpara disa vitesh ne nuk kemi pasur asnjë interes nga kapitali i huaj dhe nga sipërmarrja e huaj për të investuar në turizmin shqiptar.

“Zero. Pse? Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra shqiptare ishte po kaq e bukur”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se mbasi iu hap rruga investimit për portin turistik në Durrës, ka filluar të ngrihet interesi i kapitalit dhe i sipërmarrjes së huaj për të investuar në turizëm në Shqipëri.

“Sepse është çështje besimi. Ideja që kapitali i madh dhe që sipërmarrjet e mëdha shkojnë në vende të caktuara për të investuar, për t’i shkatërruar ato vende dhe për të shfrytëzuar krah pune është një ide e lindur nga padija, sepse është e kundërta”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze ndërkombëtare të kenë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës.

“Dëmet mjedisore kanë ardhur në radhë të parë nga faza të zhvillimit që kanë qenë të kushtëzuara jo vetëm nga kapitali, por të lidhura me një horizont të mbyllur lidhur me shumë nga temat komplekse të fushës dhe, patjetër, kanë qenë të kushtëzuara nga kostoja e ndërtimit dhe nga çmimi”, shtoi ai.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›