E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zyra e BE në Kosovë: Të vihen në funksion institucionet dhe të rritet ritmi i reformave

PRISHTINË, 9 qershor /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova shpreson që sa më shpejt të vihen në funksion institucionet shtetërore të Kosovës në mënyrë që vendi të përfitojë nga Plani i Rritjes, raporton KosovaPress.

Këto komente ajo i bëri gjatë lançimit të Indeksin e Politikave për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM) 2026 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, i cili u bë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT).

Eva Palatova, ushtruese e detyrës së shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë theksoi se në kuadër të Planit të Rritjes, BE-ja ka vënë në dispozicion 880 milionë euro për Kosovën gjatë tre viteve të ardhshme, në këmbim të zbatimit të reformave që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e investimeve dhe eksporteve, si dhe promovimin e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Palatova tha se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i madh i Kosovës, duke investuar deri më tani 3,7 miliardë euro.

“Ndërsa ndihma e Bashkimit Evropian fillimisht ishte e fokusuar në veprimet emergjente të ndihmës dhe rindërtim, tani ajo përqendrohet në rritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin evropian të Kosovës. Në kuadër të planit të rritjes që e përmenda më parë, 880 milionë euro gjatë tre viteve janë të gatshme për t’u investuar në Kosovë në këmbim të reformave, Kosova ka paraqitur një agjendë ambicioze reformash në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe mjedisit të biznesit. Kjo agjendë reformash përfshin shtatë reforma kryesore dhe 26 hapa të drejtuara drejt nxitjes së investimeve dhe eksporteve, një kornizë rregullatore të thjeshtuar dhe efektive, dhe në fund promovimin e inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës BE-së në Kosovë shtoi se tani nevojitet përshpejtim i reformave dhe funksionalizim i institucioneve për të përfituar nga potenciali i Planit të Rritjes.

“Ajo që duhet të vijë tani është një përshpejtim i konsiderueshëm i ritmit të reformave. Agjenda e reformave është miratuar nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2024. Tani jemi në verën e vitit 2026 dhe po shohim skadimin e periudhës së parë të tolerancës, ku për herë të parë do të mund të masim formalisht se çfarë ka arritur Kosova gjatë periudhës së parë. Prandaj shpresojmë shumë që institucionet politike të Kosovës së shpejti do të bëhen plotësisht funksionale në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky potencial”, tha ajo. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›