Rama: Të imponohet rritja e kontributeve për ata që nuk kontribuojnë sipas ligjit

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për të pasur një rritje të arsyeshme dhe të qëndrueshme të pensioneve nevojitet rritja e kontributeve shoqërore.
Gjatë bashkëbisedimit me pensionistët për skemën e pensioneve, Rama u shpreh se “është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të qartë se pse pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet”.
“Merrni shtetin më të zhvilluar, Gjermaninë, merrni çdo shtet të rajonit tonë, merrni zgjidhni dhe do të shikoni që pensionet janë pjesa më e vështirë. Ka një sërë pse-sh që ne do të përpiqemi t’i shpjegojmë vërtetësisht”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se “kjo nuk është një çështje e buxhetit të shtetit, si arka e qeverisë, që qeveria mund të vendosë ç’të dojë”.
“Kjo është një çështje e përbashkët e shoqërisë, e të gjithë atyre që në Shqipëri fitojnë para, sepse çdokush që fiton para në Republikën e Shqipërisë me një pagë apo biznes sado të vogël, brenda atij fitimi ka detyrimin ligjor të japë atë që u takon pensionistëve, përmes skemës që ne të rrisim kapacitetin për të pasur në vijim një rritje të arsyeshme dhe të qëndrueshme të pensioneve”, tha Rama.
Rama theksoi se duhet patjetër të rriten kontributet dhe të imponohet kjo rritje kontributesh për ata që fitojnë për vete dhe vjedhin pensionistët, duke mos paguar për sigurimet shoqërore. /j.p/