Rama: Teknologjia u hap të rinjve rrugën drejt tregut global

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në Gjirokastër, ku u ndal te roli i teknologjisë dhe risive në krijimin e mundësive të reja për punësim dhe sipërmarrje.
Rama theksoi se qeveria synon të rrisë financimin për programet e startup-eve, ndërsa paralelisht po zgjerohet rrjeti i laboratorëve smart në shkolla, me qëllim që të rinjtë të kenë akses të hershëm në teknologji.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se sot teknologjia u jep të rinjve mundësi reale për t’u vetëpunësuar dhe për të ofruar shërbimet e tyre në tregun global, pa qenë e nevojshme të largohen nga vendi.
Sipas tij, mjafton kombinimi i talentit dhe vullnetit për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në këtë fushë.
“Teknologjia krijon mundësi që çdo i ri me synim dhe dëshirë për të ecur përpara, të mund të sigurojë të ardhura më të larta se ato që ofron tregu tradicional, duke punuar për kompani ndërkombëtare nga Shqipëria”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se klubet smart nëpër shkolla hapin një derë të rëndësishme për orientimin e të rinjve drejt teknologjisë, edhe pse jo të gjithë do të ndjekin këtë rrugë. “Ata që e shfrytëzojnë këtë mundësi mund të arrijnë të krijojnë një punë ku janë vetë zot të vetes”, tha ai.
Në bashkëbisedim me të rinjtë, Rama solli si shembull edhe historinë e suksesit të sopranos shqiptare Ermonela Jaho, duke theksuar rëndësinë e ëndrrës dhe këmbënguljes për ta realizuar atë. Sipas tij, përtej talentit dhe përgatitjes, është vendosmëria dhe “motori i brendshëm” që çon drejt suksesit.
Kryeministri u shpreh se Jaho ka arritur të ngjitet në skenën e famshme “La Scala” në Milano, një nga teatrot më të rëndësishëm të operës në botë. Po ashtu, ajo ka interpretuar në disa prej skenave elitare të operës si “Royal Opera House” në Londër, “Metropolitan Opera” në Nju-Jork, “Opéra National de Paris” në Paris, si dhe në teatro të tjerë të rëndësishëm në Europë dhe më gjerë.
Kryeministri theksoi se suksesi i saj nuk lidhet vetëm me talentin e jashtëzakonshëm vokal dhe formimin profesional, por edhe me vendosmërinë dhe disiplinën e fortë për të qëndruar për vite të tëra në majat e skenës operistike botërore.
“Ajo më pas i vuri vetes qëllimin se do të ishte këngëtarja më jetëgjatë në skenat e nivelit të parë dhe ia ka dalë. Është fuqia e ëndrrës së saj. Dikush mund të ketë zërin më të bukur, mund të ketë studiuar në shkollën më të mirë të kantos, por kur vjen puna mund të mos ngjitet kurrë në skenë, sepse nuk ka atë “motorin ekstra” që ka njeriu kur bën sukses”, tha Rama.
/a.f/r.e/