E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Veprimtaria e shtetit nuk bllokohet për konflikte pronësie mes privatëve, këto i zgjidh gjykata

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, sot gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Zvërnecit, tha se nuk mund të bllokohet veprimtaria e shtetit dhe e investimeve për shkak të konflikteve mes pronarëve.

Sipas Ramës, shteti funksionon mbi dokumente dhe pretendimet mbi pronësinë zgjidhen në gjykatë.

“Marrëdhëniet juridike dhe ato të pronësisë bazohen mbi letra. Ne kemi zgjedhur se çfarë është kushtetuese; nuk e cakton partia në pushtet, nuk e cakton as kryeministri. E cakton Gjykata Kushtetuese. Në sistemin ku jetojmë, janë gjykatat që thonë fjalën e fundit, na pëlqen apo jo”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, “nuk mund të bllokohet veprimtaria e shtetit dhe investimet derisa të gjendet zgjidhja për çështjen e pronësisë. Këtë e bëjnë gjykatat dhe prokuroria; qeveria e ka të ndaluar të ndërhyjë në këtë proces. Kur thua shteti, janë tre pushtete: Parlamenti, Qeveria dhe Drejtësia, e cila është një pushtet më vete”.

“Drejtësia që ka qenë totalisht kriminale, le ta quajmë kështu, ai pushtet ka lënë gjurmë pas, duke krijuar tituj pronësie. Por, për ta rregulluar këtë, duhet të shkosh sërish te drejtësia. Ne nuk mund të fshijmë apo të vendosim prona në kadastër; këtë e bën gjykata dhe ajo jep vendimin. Prandaj, për ne pronar është ai që figuron në kadastër dhe, për sa kohë gjykata nuk është shprehur ndryshe, nuk mund të vijë dikush dhe të thotë ‘jam unë pronari’. Këtë duhet ta kërkojë në gjykatë dhe më pas të marrë atë që i takon sipas vendimit gjyqësor”, u shpreh Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›