E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Zvërnec: Toka është shitur, nëse dilni pronarë, merrni paratë e bllokuara

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorë të Zvërnecit, ku diskutoi me ta mbi projektin e resortit turistik në zonë dhe shqetësimet e ngritura nga disa prej tyre lidhur me çështjet e pronësisë.

Gjatë bashkëbisedimit, Minella Balliu, banor i Zvërnecit, ngriti pretendime për pronësinë e një sipërfaqeje toke që, sipas tij, është në proces gjyqësor, duke kërkuar që zhvillimi i projektit të mos vijojë deri në përfundimin e shqyrtimit nga gjykata.

Kryeministri Rama theksoi se proceset gjyqësore janë e drejtë e çdo qytetari, por nuk mund të bllokojnë zhvillimin e investimeve në mungesë të një vendimi gjyqësor.

“Proceset gjyqësore janë në të drejtën e gjithsecilit, por kjo nuk do të thotë që meqë është hapur një proces gjyqësor të mos investohet. Për sa kohë proceset gjyqësore janë në rrugën e tyre dhe nuk ka një vendim nga gjykata që çështja duhet të pezullohet, atëherë vazhdon jeta, sepse ndryshe nuk do të zhvillohej asgjë”, u shpreh Rama.

Banori u shpreh se e mbështet zhvillimin e zonës, por kërkoi që investimi të bëhet sipas të gjithë parametrave.

Në përgjigje, Rama tha se procedurat për projektin janë kryer mbi bazën e dokumentacionit të verifikuar nga institucionet përgjegjëse dhe në rast se gjykata u jep të drejtë pretenduesve, kompensimi do të kryhet nga shteti.

“Procese gjyqësore janë në të drejtën e gjithsecilit. Nëse dikush mund të hapë proces gjyqësor për këtë godinën, por kjo s’do të thotë që kjo godina s’mund të shembet dhe të ndërtohet një shkollë. Sa kohë s’ka vendim nga gjykata që çështja për të cilën është hapur procesi është një çështje që duhet të ngrijë, vazhdon jetën. Se i bie të gjithë të hapin procese gjyqësore. Jemi dakord që projekti të zhvillohet, por prona të kthehet tek pronarët”, tha Rama.

Kryeministri shpjegoi se “nëse ju dilni pronar, paratë që janë të ngrira i konfiskohen dhe bëhen para të shtetit dhe shteti merret me pronarë. Urdhëro lekët dhe vazhdo punën. Sa i takon punës së SPAK-ut, e kemi ndarë: SPAK-u ka punën e vet, ne kemi tonën”.

Prona tanimë është shitur dhe ka pronarë të tjerë, që janë vetë-investitorë. Kur ata janë paraqitur te ne, kanë sjellë të gjitha letrat. Nga ana e letrave është gjetur procedura. Fati në këtë rast, i juaji… Mund të kishte ndodhur dhe ndryshe, mund të mos kishte lidhje SPAK-u që ka hyrë në këtë proces krejt natyrshëm, por jo për projektin. Nëse gjykata do ju jepte të drejtë, ju sërish do i drejtoheshit shtetit, që shteti do ju kompensonte. Fati është që nëse dilni pronarë nga gjykata, paratë që janë të ngrira, konfiskohen dhe bëhen para të shtetit dhe shteti ja jep pronarëve”, përfundoi Rama.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›