E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Vera e prodhuar në kantinën “Arbëri“ kalon kufijtë, së shpejti hap dyert edhe bujtina

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kantina e prodhimit të verës “Arbëri” një sipërmarrje e familjes Kaçorri, në zonën e Mirditës, ka rikthyer traditën e shijes së veçantë të verës Kallmet.

Kjo kantinë i ka dhënë emër jo vetëm kësaj zone, por edhe Shqipërisë në botë, për cilësinë e veçantë të verës.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, njëherësh drejtues politik i qarkut të Lezhës, Ulsi Manja, vizituan nga afër këtë kantinë, ku pranë saj po ngrihet edhe një bujtinë.

Rama tha se vera e prodhuar në kantinën “Arbëri”, me vreshtat e mbjella në kodrat e larta të Bukmirës, i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ka arritur deri në restorante prestigjioze të Francës.

“Por risia është bujtina e bukur, e cila do të plotësojë krejt sistemin e prodhimeve bio për agroturizmin “Arbëri”, që hap dyert së shpejti mes vreshtave e natyrës së mrekullueshme”, theksoi Rama.

Kjo sipërmarrje nisi me një sipërfaqe vreshti prej 3 hektarë por me kalimin e kohës u rritën sipërfaqet me vreshta dhe prodhimi i verës cilësore nga Kantina “Arbëri”, jo vetëm që u bë pija më e kërkuar në tregjet e vendit, restorantet elitare por sot eksportohet në shumë vende të Evropës e deri në Amerikë dhe kontinentin aziatik.

Vera e kësaj kantine ka marrë jehonë tashmë edhe nga mediet prestigjioze të huaja të cilat e kanë vlerësuar kantinën “Arbëri” me pikët më të larta të cilësisë, duke i dhënë emër në botë jo vetëm kësaj sipërmarrje, por edhe Shqipërisë.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›