E Martë, 3 Nëntor 2026

Shtyhet për në 23 prill seanca për Berishën, avokati: Kërkuam pushimin e çështjes

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë çështjen e dosjes “Partizani” për në datën 23 prill, në orën 13:00. Seanca paraprake u shty për shkak se avokati Luan Hasneziri kishte paraqitur raport shëndetësor.

Avokati Genc Gjokutaj tha se “ne ritheksuam mungesën e faktit penal, shkak për të cilin kemi kërkuar pushimin e çështjes”.

“Pjesa tjetër e mbrojtjes sonë e gjithë subjekteve në këtë proces, ishin pavlefshmëritë e të gjitha akteve. Ky është një manual shkeljesh libri i procedurave të këqija. Në këtë dosje gjen akte të pakomunikuara, ekspertë të palicensuar, firma të falsifikuara të cilat prokurori dëgjon dhe hesht. Deri tani nuk kemi të bëjmë me gjykimin në seancë paraprake, nuk mund të thërrasim dëshmitarë”, tha Gjokutaj.

Gjokutaj tha se më 23 prill është seanca e fundit për të paraqitur pretendimet.

“Keni parë procese që kanë prova të sakta që të zgjasë kaq shumë? Është detyrim i yni për të sqaruar këtë maskaradë juridike që vijon sot e kësaj dite. 23 prilli, data që do të përfundojë seanca paraprake, gjykata besoj dhe shpresoj të marrë kohën e saj për të dhënë një vendim. 6 muaj seancë paraprake dhe të jepet vendimi për 10 minuta s’më duket serioze dhe jo më profesionale”, tha Gjokutaj.

Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

Kreu i Partisë Demokratike është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›