Rama: Zonat e mbrojtura thesare natyrore, por edhe hapësira edukimi për fëmijët

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Fëmijët gjithnjë e më shumë po lidhen me natyrën, duke zhvilluar vizita në zonat e mbrojtura në vend.
Vizitat e tyre pranë zonave të mbrojtura kanë për qëllim të mësojnë më shumë rreth mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga vizitat e fëmijëve në zonat e mbrojtura.
Rama tha se “zonat e mbrojtura nuk janë vetëm thesare natyrore, por edhe hapësira edukimi dhe aventure për më të vegjlit. Çdo ditë, gjithnjë e më shumë fëmijë e të rinj zbulojnë bukuritë e natyrës dhe provojnë sporte plot emocion si një mënyrë e mrekullueshme për të rritur dashurinë për mjedisin që në fëmijëri”.
Specialistët e Zonave të Mbrojtura vijojnë të zhvillojnë me përkushtim orë të edukimit mjedisor në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, në klasa dhe në terren, si një ndër mënyrat më të mira për t’i rritur fëmijët me dashurinë për natyrën.
Nëpërmjet prezantimeve, videove, aksioneve për mbjellje dhe pastrim, si dhe lojërave të ndryshme të rinjtë angazhohen në njohjen dhe ruajtjen në mënyrë sa më cilësore të biodiversitetit dhe mjedisit të përbashkët.
1 nga 5/k.s/j.p/