E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama bashkëbisedim me banorë të Zvërnecit: Çështjen e pronave e zgjidh vetëm gjykata

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorë në Zvërnec, me të cilët diskutoi lidhur me çështjet e pronësisë në këtë zonë.

Duke iu përgjigjur një qytetari, i cili u shpreh se është ende në gjyq për pronën, Rama u shpreh se, “unë kam thënë që prona është e kthyer denbabaden, është kthyer shumë vite më përpara, nuk është kthyer në këtë periudhë të kësaj qeverie. Është kthyer denbabaden, kam thënë. Dhe pronat e kthyera janë prona të trashëguara. Kështu funksionon ligji, kthehen pronat e trashëguara me ligj”.

Ai nënvizoi se çdo pretendim mbi pronësinë apo kthime të dyshuara si të padrejta është kompetencë ekskluzive e gjykatës, duke shtuar se as qeveria, as institucionet e tjera administrative nuk kanë tagër për të përcaktuar pronësinë.

“Pastaj, a ka kthime të gabuara ose të padrejta? Me siguri ka plot, nuk diskutohet, por këtë nuk e vendos unë, nuk e vendos qeveria, nuk e vendos hipoteka. Këtë nuk e vendos asnjë agjenci që merret me zhvillimin e pronës. Nuk e vendosin noterët kur noterizojnë kalimin e një prone nga një njeri tek një tjetër. Këtë e vendos vetëm gjykata”, tha Rama.

Rama theksoi se nuk ka takuar kurrë asnjë nga ata që janë pronarë dhe përfliten si të tillë.

“Nuk kam ide fare për çfarë marrëveshjesh kanë bërë investitorët me pronarët. Është një çështje private”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, ka thënë se Zvërneci është çështje e privatëve.

“Nëse ktheheni në kohë, kur ka dalë për herë të parë shprehja e interesit nga ana e familjes së presidentit të SHBA-ve për Shqipërinë dhe kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë në atë kohë: Sazani është çështje e qeverisë shqiptare për sa i takon marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është çështje private. Pronarët privatë merren vesh privatisht”, tha Rama.

Pra, vijoi Rama, “Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, këtë e vendosin pronarët, nuk e vendosin as qeveritë, as protestuesit”.

Pjesa tjetër, shtoi Kryeministri, “është siç ka vijuar. Kur agjencia përkatëse që merret me lejet apo masterplanet merr një shprehje interesi, kërkon hipotekën: ke apo s’ke hipotekë, ke apo s’ke marrëveshje me pronarët që figurojnë në hipotekë”.

“Ka pretendime në Shqipëri sa të duash që nuk i kanë pronat me hipotekë, por i kanë me pretendime të tyre, me letra apo pa letra, nuk ka rëndësi. Veprimtaria e agjencisë është e bazuar te ajo që paraqitet dhe verifikohet, siç verifikohet çdo proces në hipotekë. Kjo është pjesa që ka të bëjë me sjelljen e shtetit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se, “për sa kohë ajo tokë është e blerë nga investitorët, ajo është tokë e investitorëve, ligjërisht për shtetin”.

“Pjesa tjetër, që ka të bëjë me faktin nëse është pronë e dikujt apo jo, në këtë rast për një subjekt nga disa që kanë bër shitjen e pronës ka rezultuar se ka një hetim për subjektin prej disa kohësh, nuk e di sa, një, dy, pesë apo dhjetë vjet”, tha Rama.

Për këtë arsye, shtoi Kryeministri, “është bllokuar fondi që kanë paguar investitorët, por ama transaksioni ka ndodhur. Investitorët janë pronarë sot, fondi është i bllokuar”.

“Kjo do të thotë se, në këtë rast fakti që ka pasur një hetim mund të jetë pozitiv për këdo që mund ta fitojë pronën në gjykatë”, tha Rama, duke sthuar se hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, për investimin apo projektin, por për një individ apo subjekt që ka shitur pronën.

“Për këtë arsye, pasi ka marrë të gjitha të dhënat nga Agjencia e Kontrollit për Pastrimin e Parave që ka bbrë gjithë verifikimet për burimin e fondeve të investitorëve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, SPAK ka lejuar transaksionin, por shuma është kaluar në llogarinë e noterit dhe aty qëndron e bllokuar. Në botë ndodhin shumë raste të tilla, ku fondet mbeten të bllokuara derisa të sqarohet pozicioni ligjor i individit në fjalë me drejtësinë”, tha Rama.

Në rastin konkret, shtoi Kryeministri, “kushdo që ka pretendime duhet t’i drejtohet gjykatës. Vetëm pasi gjykata të përcaktojë pronësinë legjitime, trashëgimtarët do të kenë akses në fond dhe do të marrin paratë”.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›