Vijon në ditën e gjashtë protesta në Tiranë, kërkohet anulimi i investimit në Zvërnec

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Shoqëria civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën sot për të gjashtën ditë me radhë në Tiranë për të protestuar lidhur me projektin e investimit në Zvërnec të Vlorës.
Qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe prej aty marshuan drejt Kryeministrisë, ku fillimisht u këndua himni Kombëtar dhe më tej nisën fjalimet e rastit nga qytetarë e aktivistë të pranishëm.
Me pankarta në duar, ata kërkojnë anulimin e projektit, duke shprehur shqetësime për ndikimin që ai mund të ketë në mjedis dhe në pasuritë natyrore të zonës. Mes pankartave janë shfaqur edhe thirrje me karakter social dhe ekonomik, përfshirë “Atdheu nuk është në shitje”, “2000 euro metri katror, 600 euro qiraja, 700 euro paga”.
Nga folësit në protestë është njoftuar se tubimi do të vijojë edhe gjatë ditëve të tjera, dhe u është bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në sheshin përpara Kryeministrisë.
Protestuesit kanë ripërsëritur pesë kërkesa: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Protesta e nisur prej orës 18:00 përfundoi rreth orës 22:00 pa u shënuar ndonjë incident. Protestuesit kanë paralajmëruar se do tëvijojnë edhe nesër paradite në Zvërnec dhe pasdite sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Sot, veç Tiranës ka patur protesta edhe në qytete të tjera si Elbasan, Korçë dhe Durrës, ku qytetarët kërkuan anulimin e investimit në Zvërnec.
Protesta kundër investimit në Zvërnec - Foto: Florian Abazaj 1 nga 32/a.f/r.e/