Rama flet për fleksibilitetin në orarin e punës për administratën: Prioritet nënat me fëmijë

Fleksibiliteti i orareve në punë, rritja e pagave brenda vitit 2024, vlerësimi i performancës dhe trajnimet e stafit janë disa nga pikat që u prezantuan sot në kuadër të Planit për Motivimin e Administratës Publike, nga Adea Pirdeni ministre për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
I pranishëm në prezantimin e këtij plani ishte edhe kryeministri Edi Rama. Kryeministri u shpreh i vetëdijshëm për mangësitë që ka sektori i administratës, duke i cilësuar personat e korruptuar në administratë si “djaj”.
Sakaq ai theksoi se në sektorin publik është bërë një punë e shkëlqyer.
Lidhur me fleksibilitetin e orarit të punës Rama tha se kjo është diçka normale dhe se me sistemin digjital punonjësit mund ta caktojnë orarin e tyre në varësi të angazhimeve që kanë. Rama u dha prioritet nënave me fëmijë.
“Pra fleksibiliteti në orarin e punës është jo vetëm normal, por sot është i mundur edhe për një arsye tjëtër: Më parë ka qenë edhe e pamundur ta mendoje për shkak të një numër të madh punonjës të angazhuar drejtëpërdrejtë me qytetarët…. Për shembull nënat me fëmijë nuk ka nevojë të vinë në orën 8:00, sepse kanë nevojë të çojnë fëmijët në kopësht dhe shkollë, gjithashtu tiu jepet mundësia të shkëputen për pak për të shkuar të marrin fëmijët apo të kujdesen për një prind, vjehërr”, tha Rama.
Gjithashtu Rama tha se në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave për administratën, ndërsa tha se qeveria po mendon seriozisht edhe për pensionet.
Edi Rama: Në qershor hynë në fuqi rritja e re e pagave. Paga mesatare në sektorin publik shqiptar do të jetë 900 euro. Qershori është muaji I fundit me këtë pagë që keni. Paga e radhës është paga e rritur. Duke filluar nga pensionet më të ulëta, do të kemi mbështetjen për pensionet. Na e thonë të gjithë ekspertët që te pensionet bëni kujdes, sepse është një peshë shumë e madhe. Jemi duke menduar shumë seriozisht dhe besoj do të hedhim një hap në atë drejtim./vizionplus.tv.