Rama i përgjigjet Albin Kurtit: Unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo

Deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje se kryeministri Edi Rama duhet të tregojë pendesë lidhur me qëndrimet e kaluara për Gjykatën Speciale sollën reagimin e kreut të qeverisë shqiptare.
Vetëm një ditë para protestës në Tiranë ku kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rama sqaroi në rrjetin social X se qëndrimet e tij para 10 vitesh për ngritjen e Gjykatës Speciale erdhën për interes të Kosovës.
“Më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, shkruan Rama.
Shefi i ekzekutivit bëri të qartë se ka qenë dhe mbetet një ndër lobuesit më të fortë për lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”, shkruan kreu i qeverisë.
Ai theksoi se protestës të së premtes do t’i bashkohej si qytetar i thjeshtë, por pjesëmarrja e tij do të politizonte kauzën.
“Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes me gjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, përfundoi Rama.
Të premten në orën 17:00, qytetarët do të mblidhen në Sheshin “Skendërbej” në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-liderët e UÇK-së , të cilët po gjykohen në Gjykatën e Hagës nën akuzat për krime lufte./vizionplus.tv