Devoll/ Arrestohet çifti i bashkëshortëve për trafik droge drejt Greqisë, sekuestrohen 5.8 kg kanabis

Pas katër javësh hetime intensive, Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fazat”, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Në përfundim të operacionit, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas – bashkëshortë – të cilët dyshohet se kishin përgatitur për trafik drejt Greqisë, një sasi prej 5.8 kilogramësh lëndë narkotike të dyshuar kanabis.
Të arrestuarit janë: Fatos Sala, 48 vjeç, Era Sala, 31 vjeçe (të dy banues në Devoll)
Sipas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, të dy shtetasit dyshohet se kishin kultivuar bimë narkotike në tokën e tyre pranë banesës, në vendin e quajtur “Lagjja e Fundosur”, dhe më pas kishin përpunuar kanabisin për ta trafikuar jashtë vendit.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë sekuestruan: 5.8 kg lëndë narkotike kanabis, 2 aparate celularë, që do t’i nënshtrohen ekspertizës
Çifti do të përballet me akuzat për veprat penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Trafikimi i narkotikëve”
Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës në drejtim të Greqisë.
/vizionplus.tv