Rama kujton Nanon përmes një videokartolinë: Miku im i dikurshëm e i rigjetur sërish

Një ditë pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një videokartoline të publikuar në rrjete sociale, ku janë përmbledhur momente nga jeta politike dhe personale e Nanos, si një kujtim i ndjerë për figurën e tij.
Rama e përshkruan Nanon si mik të afërt, bashkëpunëtor të hershëm dhe një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Partisë Socialiste dhe të politikës shqiptare.
“Mirëmëngjes, dhe me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore,” shkruan Rama.
Ish-kryeministri, Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare. Fatos Nano ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë me Partinë Socialiste. Ai është themeluesi i PS-së, parti të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2005, kur dhe vendosi të largohej nga politika.
Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare për të dielën, datë 2 nëntor 2025, në nderim të ish-Kryeministrit dhe politikanit të shquar, Fatos Nano.
/rtsh.al/