Rama me komunitetin shqiptar në Michigan: Manifestimi i flamingove tregon një shoqëri që ka avancuar

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, vlerësoi rolin e diasporës dhe foli për protestat e zhvilluara në Tiranë.
“Në Michigan rreh një nga zemrat më të forta shqiptare të Amerikës”, u shpreh Rama në nisje të fjalës së tij.
Duke iu referuar protestave në Tiranë nisur nga investimi i planifikuar në Zvërnec dhe që mban për simbol flamingot e lagunës së Nartës, kryeministri solli në vëmendje një rast të evidentuar disa vite më parë në Michigan, ku një grup gjuetarësh patash vunë re për herë të parë një flamingo.
Sipas tij, Komisioni Shtetëror i Regjistrimit të Shpendëve në SHBA certifikoi zyrtarisht praninë e shpendit, duke e cilësuar si një rast jashtëzakonisht të rrallë.
“Por, siç e dini, këtë verë flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë. Doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardet, ekranet, hapësirat dixhitale dhe mori vëmendje në të katër anët e globit”, tha Rama.
Ai theksoi se, deri pak vite më parë, askush nuk do ta kishte imagjinuar që një shpend i tillë do ta kthente Shqipërinë në qendër të një debati ndërkombëtar për natyrën, zhvillimin, turizmin dhe “Trumpizmin”.
“Por, përtej këtij të fundit, që, për hir të së vërtetës, e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka shumë domethënëse në manifestimin qytetar të protestës së qershorit, i cili faktikisht tërhoqi jo vetëm vëmendjen, por edhe mbështetjen e shumëkujt, përfshirë edhe shqiptarët në diasporë”, u shpreh kryeministri.
Rama deklaroi se në të kaluarën dëmtimi i natyrës dhe i gjallesave në Shqipëri nuk shoqërohej me reagim të mjaftueshëm publik.
“E vërteta është se deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri, mbase si askund tjetër në botë, dhe askush nuk pipëtinte”, tha ai.
Sipas kryeministrit, ndryshimi i qasjes së shoqërisë shqiptare lidhet me rritjen e pritshmërive dhe me bindjen se vendi mund të bëjë më shumë.
“Sot, kur shumë gjëra kanë ndryshuar, shqiptarët kanë nisur të jetojnë me idenë se ‘ka edhe më mirë’. Dhe pikërisht këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim”, theksoi Rama.
Në vijim, ai nënvizoi se një shoqëri që kërkon më shumë është një shoqëri që ka avancuar dhe që nuk pranon të kufizojë horizontin e saj.
“Një shoqëri që kërkon më shumë është një shoqëri që është ngritur, që e ka parë horizontin dhe që nuk pranon më ta ulë shikimin”, u shpreh kryeministri.
Rama e mbylli pjesën e fjalimit për protestat, me shqiptarët e Miçiganit, me një apel për përgjegjësi individuale dhe shoqërore, duke theksuar se kërkesa për më shumë nga qeveria dhe shteti duhet të shoqërohet edhe me kërkesa më të larta ndaj vetes dhe me respekt për mendimet e ndryshme.
“Por pikërisht sepse mësuam të kërkojmë më shumë nga qeveria, nga shteti dhe nga vendi ynë, ne duhet të mësojmë të kërkojmë më shumë edhe nga vetja, si pjesë e shoqërisë së re shqiptare, dhe sidomos në mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin, kur mendimet nuk puqen”, theksoi Rama.
/gj.m/j.p/