E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Varrosje për së gjalli, populli i Kosovës s’e gjen veten në vendimin e Hagës për ish-krerët e UÇK-së

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin me burgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar situatën si një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët.

Gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Michigan, Rama tha se e kishte pasur të vështirë të gjente fjalët për të folur mbi vendimin e Hagës, të cilin e përshkroi si një “gur të madh” përballë të cilit fjalët duken të kota.

“Si rrallë herë jam përpëlitur, sa këtë herë duke rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse as kisha si e shmangja atë që ndodhi në Hagë përpara disa ditësh po edhe nuk gjeja rrugën se si t’i qasesha. Atij gurit të madh të rëndë përballë të cilit për hir të vërtetës fjalët duken të kota njësoj si në një mort.

“Një mort për së gjalli, në këtë rast një varrosje njerëzish gjallë dhe një pafuqie kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare. Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh dhe që e përsërisim shpesh respektoni vendimin e gjykatës, vendimet e gjykatave duhen respektuar, shteti i së drejtës, bota demokratike funksionon mbi respektin për vendimet e gjykatave dhe nuk diskutojmë këtë”, tha Rama.

Sipas tij, çështja nuk është mosrespektimi i vendimit të gjykatës, por mënyra se si mund të refuzohet ajo që ai e cilësoi si “varrosje për së gjalli” e katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Por jo vendimin e gjykatës, po edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është mos respektosh vendimin e gjykatës, por problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen askund veten në atë vendim të dhënë jo thjesht në gjuhë huaj, po edhe në një të huajsim të vetë drejtësisë”, tha Rama.

Rama shtoi se “natyrisht që Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, për sidoqoftë të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të gjykatës nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosje si një fatalitet pa apel”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›