E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama me të rinjtë votues për herë të parë në Belsh: Mos qëndroni spektatorë të procesit demokratik

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha sot gjatë një takimi me votuesit për herë të parë të Qarkut Elbasan se zonat rurale dhe fshati po njohin zhvillim në aspektin e sipërmarrjeve që krijohen, prodhimit, eksportit, por edhe të agroturizmit e agropërpunimit.

Sipas Ramës, të gjitha këto janë zhvilluar në këtë dekadë falë edhe mbështetjes që Shqipëria merr nga BE-ja. “Në 10 vjet, mbështetja që ne kemi marrë për fshatin, bujqësinë, agroturizmin është shumë më pak se 200 milionë euro. Nëse bëhemi anëtarë të BE-së, mbështetja bëhet 300 milionë euro në vit që është shumë më tepër dhe po të llogarisësh 300 milionë euro në vit dhe 1 miliard euro e më shumë në katër vjet vetëm për fshatin është e jashtëzakonshme. Është më shumë se të gjitha buxhetet e vëna në dispozicion në shumë vite”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi rëndësinë e votës së të rinjve dhe votuesve për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke kërkuar mobilizimin e tyre jo vetëm për të marrë pjesë në proces përmes votës, por për të qenë edhe aktorë dhe jo thjesht spektatorë të një procesi demokratik, ndërsa theksoi se populli është aktori kryesor në një proces demokratik kur vjen dita për të votuar.

“Ju nuk duhet ta nënvlerësoni rëndësinë që ka pjesëmarrja, sepse duhet ta bëni”, u shpreh Rama, teksa solli në vëmendje një bisedë të zhvilluar shumë vite më parë me një të huaj, që i kujtonte rëndësinë e votës në respekt edhe të miliona njerëzve sot në botë që kanë dëshirë të votojnë, por nuk e kanë të mundur, si edhe të personave që dëshira për të votuar i ka çuar nëpër burgje apo pushkatime gjatë sistemit komunist.

“Përtej këtyre dhe përtej faktit që siç thotë një nga fjalët e mençura “kush nuk merr pjesë në proces i meriton të gjitha ato që i vijnë pastaj, nëse gjërat nuk shkojnë mirë”, 11 maji është historik sepse ne duhet të mbyllin negociatat me BE-në”, pohoi Kryeministri.

Rama tha gjatë fjalës së tij me të rinjtë se negociatat janë një proces që në aspektin formal janë më shumë se 250 mijë faqe që duhen kaluar një për një, ndërsa për këtë proces janë angazhuar një mijë persona në Shqipëri dhe një mijë të tjerë në Bruksel që merren me gjithçka nga ekonomia, drejtësia, institucionet, tregu, konkurrenca, të drejtat dhe liritë, me zogjtë me peshqit, ujërat etj.

“Për këto duhet të merremi vesh me ta dhe të përmbushim kushtet përmes masash, rregullash, vendimesh, ligjesh që të përputhim të gjithë jetën tonë nga pikëpamja e rregullave të shkruara të bashkëjetesës me ato të BE-së”, tha Rama.

“Ju duhet të dini se anëtarësimi në BE nuk është një çështje se sa do ti, se sa gati je ti që të hysh. Parakushti është që ti duhet të duash të jesh atu, por ama ti mund t’i biesh asaj dere sa të duash, ajo derë nuk hapet deri kur ata që janë brenda kanë predispozicionin që ta hapin”, pohoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›