Rama ndan pamje nga çelja e fushatës së PS: Rruga drejt 11 majit për Shqipërinë 2030 në BE

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga çelja zyrtare e fushatës elektorale të PS, të zhvilluar sot në sheshin “Skënderbe”, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Rama, pamjet i shoqëronte me këngën e zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Kënga zyrtare e fushatës së PS u performua nga reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy.
“Rruga drejt 11 majit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkroi Rama bashkangjitur videos së publikuar.
Partia Socialiste çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.
Me një skenë ku në qendër janë 12 yje që simbolizojnë 12 yjet e flamurit të BE-së, eventi elektoral nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, shoqëruar me performancën me këngë e valle tradicionale.
Në fund të prezantimit, fjalën e mori kryeministri dhe njëherazi kreu i PS, Edi Rama. Ai fillimisht prezantoi këngën zyrtare të fushatës dhe më tej nënvizoi se vota në 11 maji është një votë për Shqipërinë anëtare të BE.
Rama deklaroi sot se PS dhe askush tjetër ka në dorë fatin europian të Shqipërisë. Ai theksoi se socialistët kanë 30 ditë përpara për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e BE-së dhe veten e vet – qytetar të barabartë të Europës.
Rama u shpreh se Shqipëria ka shansin që të mbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda dy viteve të ardhshme, duke hyrë në familjen europiane deri në vitin 2030.
“Vetëm shqiptarët e bashkuar me mua dhe ju këtu mund të mbrojnë drejtësinë e re nga çdo orvatje destruktive e “kënetës”, mund të mbyllin negociatat me BE-në brenda dy vitesh”, tha Rama.
Rama u ndal gjithashtu edhe të programi ekonomik i PS-së. Sipas tij, Shqipëria e vitit 2030 do të përfitojë nga buxheti i përbashkët i Bashkimit Evropian. Rama tha se të votosh për Shqipërinë 2030, do të thotë të votosh për një Shqipëri të re në aspektin financiar.
Në fund Rama tha se “Pasaporta shqiptare e BE-së, është dhe dinjiteti i çdo shqiptari që kur të udhëtojë me atë pasaportë nuk do të ndalet më nga asnjë polic dhe nuk do të hyjë më në asnjë radhë të veçantë si “dele të zeza”, sepse BE nuk do të jetë më e atyre, BE do të jetë Shqipëri dhe Shqipëria BE.
/a.f/