Rama ndan pamje nga plazhi i Ksamilit

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Plazhi i Ksamilit, mbetet një ofertë turistike jo vetëm gjatë sezonit turistik, por gjatë gjithë vitit.
Falë detit të kristaltë e ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me qytetin antik të Butrintit, Ksamili tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, teksa shkruan “Ksamili sot”.
Pavarësisht se jemi në javën e fundit të muajit tetor, pushues të shumtë shijojnë motin e ngrohtë dhe plazhin me ujërat e pastra të Jonit.
Ksamili është një qytet i vogël në brezin bregdetar jugor, të quajtur zakonisht Riviera Shqiptare, që shtrihet në detin Jon me ujëra ngjyrë bruz dhe përballë ishullit grek të Korfuzit.
/e.i/r.e/