E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Venezuelës akuzon SHBA-në për provokim ushtarak pas vendosjes së aeroplanmbajtëses

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “fabrikim të një lufte të re”, pasi Uashingtoni dërgoi aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford, drejt Karaibeve një veprim që shënon një përshkallëzim të pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Sipas mediave amerikane, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi të premten që aeroplanmbajtësja, e cila mund të mbajë deri në 90 avionë, të largohej nga Mesdheu për të marrë pjesë në një operacion kundër trafikut të drogës.

“Ata po sajojnë një luftë të re të përjetshme,” deklaroi Maduro për mediat shtetërore. “Premtuan se nuk do të përfshiheshin më kurrë në një luftë, por po e shpikin një të re.”

Shtetet e Bashkuara kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në Karaibe me anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35, në një operacion që thonë se synon rrjetet e trafikimit të drogës. Në javët e fundit, SHBA-të kanë kryer dhjetë sulme ajrore ndaj anijeve që thuhet se u përkasin trafikantëve, përfshirë një sulm të premten që vrau “gjashtë narko-terroristë”, sipas Pentagonit.

Operacionet janë dënuar nga disa vende të rajonit dhe ekspertë ligjorë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e tyre ndërkombëtar.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se po shqyrton “veprime tokësore” kundër objekteve të trafikimit të drogës brenda Venezuelës, në një lëvizje që shumë analistë e shohin si përpjekje për të ushtruar presion ndaj regjimit të Maduros.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›