E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama ndan pamje të turistëve: Nga Skrapari i aventurës

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Kanionet e Skraparit mbeten një destinacion i preferuar për vizitorët në këto ditë të nxehta.

Turistë nga e gjithë bota eksplorojnë çdo ditë natyrën e mahnitshme dhe shijojnë përvojat më unike duke ushtruar rafting në kanionet e Osumit.

Kryeministri Edi Rama ndau pamjet nga vizitorë të shumtë që eksplorojnë Kanionet e Osumit.

“Nga Skrapari i aventurës”, shkruan kryeministri Rama, në një postim në rrjetin social Facebook.

Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit të Osumit rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, 70-80 m i thellë, me shpate vertikale, përfund të cilave rrjedh lumi i Osumit.

I cilësuar edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grup-moshat.

Në një distance prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “porta e djallit”, “krokodili” apo “katedralja”.

Në këtë kanion, nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, zhvillohet sezoni i sportit të rafting.

Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë jo vetëm për të ushtruar në ujërat e tij, sportin e bukur të rafting, por edhe për të eksploruar magjinë e natyrës shqiptare.

Kanionet e Osumit 1 nga 11

/m.q//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›