Rama ndan pamjet nga Zvërneci: Pasqyrë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane duan ta mbajnë kështu

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot një mesazh të dërguar nga një qytetar vlonjat për situatën në zonën e Zvërnecit sot.
Rama u shpreh se pamjet janë pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbërit e “Shqipërisë së shqiptarëve” duan ta mbajnë të gjithë bashkë tamam kështu si është sot – siç do ta shihni vetë – tokë të ndotur e të paprekur nga tradhtia ime, që dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës, ndërsa Shqipërinë e ngjit në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror.
Rama theksoi se shpreson që tanimë t’u jetë pastruar gjaku nga helmi i luftës hibride online atyre të tijve, që u dëshpëruan prej një rreziku imagjinar.
“Përshëndetje Kryeministër! Jam vlonjat dhe pro investimit në Zvërnec. Mos ndalo. Po të nis një video dhe te lutem postoje. Bëhet fjalë fiks për zonën ku njerëz të papërgjegjshëm që dhe ndoshta janë ngritur në protestë e kanë katandisur zonën e mbrojtur si mos më keq. Kurse ata që erdhën për sherr dihet që e kanë me ty jo me natyrën se po ta kishin për natyrën duhet të shanin pse është bërë hale, jo pse do të hedhësh 4 miliardë që s’janë hedhur tërë historinë në anët tona. Shihe videon dhe nëse do mund të të nis dhe video të tjera të zonave ku mbrohen me ligj po nuk mbrohen dot nga njerëzit e liq pa tru që sa më shumë plehra hedhin poshtë aq më tepër çirren me zërin lart. Të falënderoj nëse e merr në konsideratë këtë video dhe tregoja Shqipërisë se duan të sabotojnë zhvillimin që e shëron këtë zonë. Bëje këtë zhvillim e vlonjatët do të të bekojnë në breza. Këta jo nuk e duan Shqipërinë aq sa thonë, po e duan edhe pa të huaj që ta kthejnë si Vlora para se ta merrje ti në dorë. Po të nis videon.”
/gj.m/j.p/r.e/