E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Londër: Emigracioni “kokë turku” për vendimin katastrofik të largimit nga Europa

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Londër, ku po merr pjesë në panelin e Chatham House, me temë: “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”.

I pyetur lidhur me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Rama u shpreh se, “procesi është binar. Nga njëra anë është tërësisht teknik, dhe nga ana tjetër është tërësisht politik. Por një gjë është e qartë sidoqoftë. Nuk mund të kesh asnjë mbështetje politike nëse nuk përmbush aspektet teknike të procesit në çdo fazë. Por mund të plotësosh të gjitha aspektet teknike në të gjitha fazat dhe po kështu mund të përballesh me mungesë mbështetje politike. Kjo është shumë e qartë”.

“Kjo është ajo që praktikisht në një moment të caktuar në kohë e bëri BE-në të shfaqej si një hipokrite e madhe përkundrejt nesh, sepse ajo çfarë thonin nuk përputhej me realitetin e fakteve dhe nuk po jepnin rezultate. Dhe s’po jepnin rezultate sepse Europa është një paciente me 27 doktorë. Ishin 28, po njëri prej doktorëve u çmend dhe iu desh të shkonte të merrte një tjetër kurë. Ndërkohë që 27 të tjerët duhet të binin dakord 100% dhe në fakt për tri herë me radhë kishim pak nga këta doktorë që nuk ishin dakord për të na lënë të ndërmerrnim hapa të mëtejshëm. Në këtë mënyrë gjërat kanë ndryshuar”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se “më kujtohet, në fakt që disa vjet më parë ishim tjetërsoj, Shqipëria jo vetëm nuk ishte pararendëse, por as rendëse po themi. Ndërkohë që tani na thuhet që jeni pararendës, jeni pararojë dhe iu them: Ju lutem, – në çdo bisedë, – mos e thoni më këtë fjalë, sepse ndez njëlloj mërie tek të tjerët. Gjithsecili bën atë çfarë duhet të bëjë. Pastaj disa të tjerë janë më të mirëpozicionuar në një moment të caktuar në kohë dhe disa të tjerë në një pozitë jo kaq të mirë në një moment të caktuar në kohë, por gjërat ndryshojnë. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të përmirësohet pa u etiketuar si në ballë të garës, apo në fund të garës”.

“Kur bëhet fjalë për pakënaqësinë, sigurisht jemi ballkanas, pa xhelozinë, pa mërinë ndaj njëri-tjetrit, pa gjykimin e suksesit të tjetrit nuk do të ishim këta që jemi. Por lajmi i mirë është që nuk jemi vetëm më në këtë botë, sepse njëherë e një kohë ishim ne ata që luftonim, përçanim, që s’gjenim kurrë rrugë për kompromis brenda vendeve tona dhe midis vendeve tona, ndërsa tani kudo është kështu. Kështu që tani ‘klubi ballkanas’ është bërë kaq i madh dhe ballkanizimi i politikës britanike dhe ballkanizimi i politikës franceze e politikave të tjera është tashmë një fakt. Është një ballkanizim kaq i madh e i thellë, saqë na duket vetja si të rriturit në dhomë kur shohim se si të tjerët grinden me njëri-tjetrin dhe si kanë pikëpamje të ndryshme edhe për varka, disa i quajmë varka të vogla, disa i quajnë të ndarjes”, theksoi Rama.

I pyetur nëse është i zhgënjyer për titujt e gazetave në Mbretërinë e Bashkuar për shqiptarët, Rama u shpreh se, “më kujtohen midis gjërave më të çmendura, qesharake dhe krejt të pazgjuara ajo që u quajt ‘referendumi i largimit’. Dhe mbaj mend që atëherë ka pasur një poster me një zog të çuditshëm, të frikshëm që vinte nga Shqipëria për t’i thithur gjakun Britanisë. Premtimi ishte: largohuni nga Europa dhe ata s’do të vijnë më. Pa gjejeni, u larguan nga Europa dhe Shqipëria është bërë një temë edhe më e madhe, sepse unë besoj që problemi nuk janë shqiptarët, apo të huajt, apo migrantët. Problemi është ku të gjejmë ‘kokën e turkut’ për këtë vendim katastrofik të largimit nga Europa, sepse është katastrofik. Kështu që unë nuk ndihem i frustruar apo i dëshpëruar. Mua më vjen keq, më vjen shumë keq”.

“Kur dikush që quhej Suela Braverman, një tjetër qeveri, kur ajo piketoi shqiptarët, dhe meqë ra fjala: ku është ajo?! Thjesht mbaje mend që mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë shqiptarët zhdukesh””, vijoi Rama.

Ai shtoi më tej se “nëse i nxjerr nga vendi këta kush do t’i bëjë këto punë, kush janë ata të rinj që do të hypin në skelë dhe do të bërtasin?! Kush janë ata britanikë që do të vijnë të punojnë si kamerierë”.

“Besoj që edhe migracioni është tërësisht një kokë turku. Nuk është emigracioni problemi. Sigurisht brenda kësaj çështjeje është problemi i paligjshmërisë, i emigrantëve të parregullt dhe unë nuk them që kjo është gabim, por më përpara ishte: do ta lëmë; tani na thoni: na lini, na lini”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama në Londër, në panelin e Chatham House: Ballkani Perëndimor - BE 1 nga 12

/gj.m/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›