E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Paris: Bashkimi Europian, projekt ende i papërfunduar

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, ku liderë dhe personalitete nga e gjithë bota diskutojnë bashkëpunimin dhe sfidat globale.

Në fjalën e tij, Rama u pyet mbi rolin e Bashkimit Europian në skenën globale, duke marrë parasysh tensionet me Turqinë dhe iniciativat e BE-së për sigurinë. Ai e përshkroi Bashkimin Europian si “një pacient me 27 mjekë ku të 27-të janë mjekë patologë”, duke nënvizuar kompleksitetin e vendimmarrjes brenda Unionit.

Rama shtoi se reagimi i Evropës pas agresionit rus ka qenë pozitiv, duke e bërë BE-në më të bashkuar dhe duke forcuar nevojën për unitet në opinionin publik. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Europian mbetet “një projekt ende i papërfunduar” dhe duhet vendosur nëse do të bëhet një forcë globale e vërtetë apo do të vazhdojë të mbetet e ndarë.

“Bashkimi Europian është një pacient me 27 mjekë, e jo vetëm 27 mjekë, por të 27-të janë mjekë patologë dhe kjo e bën edhe më të ndërlikuar. Vlen po kështu të thuhet që ajo çfarë ka ndodhur, që prej agresionit rus, ka qenë pozitive, shumë pozitive, sepse në vend që të bëhej më i përçarë, Bashkimi Europian u bë më i bashkuar dhe po kështu, edhe në opinionin publik, nevoja për unitet, për të qenë bashkë dhe për të mos u larguar si pula, është bërë e qartë.

Ajo çfarë di – dhe të gjithë ata që kanë një logjikë dinë – është që Europa është një projekt ende i papërfunduar, është ende në gjysmë të rrugës, nuk është ende ajo çfarë etërit themelues panë në vizionin e tyre.”

Ai vuri në dukje historikun dhe vizionin e liderëve europianë, duke përmendur iniciativën e Emmanuel Macron për Komunitetin Politik Europian dhe faktin se megjithë fuqinë ekonomike dhe popullsinë e BE-së (rreth 500 milionë banorë), Unionit i mungon një identitet territorial i vetvetishëm: “Çdo metër katror i Bashkimit Europian është metri katror i dikujt që është pjesë e tij”.

“Emmanuel Macron e shtyu më tej kufirin, duke i dhënë jetë asaj krijese që quhet Komuniteti Politik Europian. Tani sa iu takon shifrave: PBB-së, popullsisë, e kështu me radhë, po t’i bësh bashkë 500 milionët janë një forcë e jashtëzakonshme, por nuk janë një vend. Bashkimi Europian është një emër, një organizatë apo një projekt politik, por nuk ka as edhe një metër katror të vetin. Çdo metër katror i Bashkimit Europian është metri katror i dikujt që është pjesë e tij”, u shpreh Kryeministri.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›