E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në fermën eksperimentale në Cërrik: Kemi burime të shumta, fokus tek inovacioni dhe eksperiencat më të mira

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Një model i ri i zhvillimit të bujqësisë moderne i ndërthurur me arsimin profesional po merr formë në Cërrik, përmes fermës eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”, një projekt i vënë në jetë nga MASHAV (Agjencia Izraelite për Zhvillim), që synon të shërbejë si platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët shqiptarë. Projekti përfaqëson një investim të rëndësishëm në arsimin profesional dhe një hap konkret drejt zhvillimit të një bujqësie të qëndrueshme, inovative dhe konkurruese përmes përdorimit të teknologjive moderne.

Ferma është konceptuar si bazë didaktike e shkollës profesionale, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe fermerët të mësojnë dhe të aplikojnë në praktikë metoda bashkëkohore të kultivimit dhe menaxhimit bujqësor. Ajo ofron sera moderne të pajisura me sisteme inteligjente të kontrollit të klimës dhe ajrimit, sisteme të centralizuara ujitjeje, kultivim hidroponik, ambiente të dedikuara për blegtorinë, pajisje moderne bujqësore, si dhe hapësira të posaçme për leksione dhe trajnime me ekspertë vendas e ndërkombëtarë.

Ky investim përfaqëson gjithashtu një tjetër hap drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore në vend dhe nxitjes së një bujqësie më efikase dhe më produktive, ndërsa shënon njëkohësisht edhe një kapitull të ri bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Sot, këtë fermë të re e vizitoi Kryeministri Edi Rama, i cili u njoh nga afër me investimin e realizuar në bashkëpunim me MASHAV – Agjencia për Zhvillim e Izraelit, me mbështetjen e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri dhe në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Rama u shpreh se Izraeli “sot është një vend që është një pasqyrë shembullore e asaj që mund të bëjë mendja e njeriut kur gjendet në situatën që të krijojë rrugë të reja dhe të gjejë shtigjet për t’i mbijetuar kushteve të pafavorshme gjeografike”.

Rama nënvizoi se, ndonëse vendi ynë ka burime të shumta, “ajo që na ka munduar për një kohë të gjatë ka qenë një fokus tek inovacioni dhe eksperiencat më të mira”.

“Duket si kopsht i një shtëpie, por është zemra e një ferme eksperimentale. Këtu bëhen eksperimente me kultura të ndryshme, ndërkohë që në anën tjetër janë edhe bagëtitë me të cilat punojnë nxënësit së bashku me pedagogët”, tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Universitetin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Burimeve Natyrore të Vjenës (BOKU), një nga institucionet më prestigjioze në Evropë, me të cilin Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një partneritet strategjik.

Sipas Ramës synohet që “deri në fund të kësaj dekade të kemi një unifikim të programeve me Vjenën dhe dekada e ardhshme të jetë dekada ku të gjithë studentët atje të marrin diploma të barasvlefshme me diplomat e BOKU të Vjenës. Po bëhet një reformë shumë kuptimplotë në atë universitet”.

Rama u shpreh se interesi i të rinjve për të studiuar në fushën e bujqësisë është rritur ndjeshëm.

“Sot qëlloi rastësisht që unë të isha përpara se të vija këtu me ish rektorin e famshëm të Universitetit të BOKU-t të Vjenës, që është Universiteti i Bujqësisë, që është Universiteti i Zhvillimit Rural dhe i Burimeve të Natyrës ndër më të famshmit në Europë dhe me të cilin Universiteti ynë Bujqësor ka bërë një partneritet strategjik me synimin që deri në fund të kësaj dekade ne të kemi një njehsim të programeve me Vjenën dhe dekada e ardhshme të jetë dekada ku të gjithë studentët tanë të mund të marrin diploma të barasvlershme me diplomat e Universitetit BOKU të Vjenës.

“Edhe sot profesori më dha një informacion të detajuar mbi ecurinë e reformës shumë kuptimplotë që po bëhet në atë universitet dhe mbi hapat e tjerë që duhen hedhur, por arsyeja pse e solla këtu këtë është se me shumë kënaqësi pashë që shifrat e interesimit për t’u bërë pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga ana e të rejave dhe të rinjve janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Edhe kjo vjen si rezultat i faktit që vajzat dhe djemtë e këtij vendi kur shohin një mundësi për t’u edukuar edhe për të arritur të marrin dije cilësore nuk e lënë atë mundësi pa e shfrytëzuar dhe gjithë ato paragjykime dhe gjithë ato stereotipe të krijuara për vite të tëra lidhur me fshatin, me bujqësinë, me Universitetin Bujqësor bien si “kështjella rëre” kur një mundësi reale shfaqet dhe kur si rezultat i një pune të madhe të bërë në këto vite hap pas hapi me vështirësi pa pasur edhe shumë mjete financiare në dispozicion si fillim, krijohen kushtet që pas kësaj gjërat marrin një drejtim tjetër”, tha Rama.

Rama shtoi se “kjo është besoj unë edhe arsyeja pse ne kemi të gjitha shkaqet për të qenë optimist edhe për këtë program, edhe për këtë shkollë, edhe për këtë bashki që ka hedhur hapa kurajoze edhe hapa të admirueshëm në drejtim të vënies në shfrytëzim të atyre që ofron sot teknologjia në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, në funksion të uljes së kostove, në funksion të rritjes së cilësisë së mjedisit dhe të pastërtisë së tij e kështu me radhë”.

Gjithashtu, Rama theksoi se pritet të firmoset një marrëveshje e rëndësishme me Izraelin për të thelluar bashkëpunimin, me synim transferimin e më shumë dijes dhe eksperiencës në Shqipëri në fushën e bujqësisë moderne.

“Kështu që më vjen shumë mirë për këtë zhvillim kaq pozitiv në drejtim të bashkëpunimit për sa i përket fshatit, për sa i përket tokës, për sa i përket burimeve ujore dhe një bujqësie cilësore, dhe jam besimplotë se ky është vetëm një hap.

“Ndërkohë që siç e tha dhe ministri presim me padurim që të firmosim dhe një marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e shtetit të Izraelit për të hapur një kapitull tjetër në këtë marrëdhënie që për ne është shumë e rëndësishme për të marrë sa më shumë dije dhe për të transferuar në Shqipëri sa më shumë eksperiencë nga ajo që e ka bërë atë vend një vend shembull, pararojë në inovacion edhe në të gjitha fushat, përfshirë edhe bujqësinë ku siç e thashë asgjë nuk ka qenë në favor të një zhvillimi të suksesshëm, në aspektin e asaj që shteti ka pasur në dispozicion një shkretëtire pa ujë”, tha Rama.

1 nga 10

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›