Rama nga Rubiku: Qendër prodhimi armësh, rritje e kapaciteteve mbrojtëse dhe ekonomike

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri e njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vizitoi sot nga afër ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, e cila do të shndërrohet në një prej qendrave kryesore të prodhimeve ushtarake për Forcat tona të Armatosura si edhe për eksportin.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se kjo uzinë do të krijojë një front të ri punësimi në vend.
“Më vjen shumë mirë që sot këtu mund ta ndajmë me ju këtë lajm që në kuadrin e hapjes së një faqeje të re në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë ne nisim me investimet e para për krijimin e qendrave të prodhimit të industrisë ushtarake”, tha Rama.
Rama u shpreh se “këtë kompleks e kemi identifikuar si një nga pikat ku do të investohet dhe do të prodhohet për forcat tona të armatosura, por në masën më të madhe për eksport. Gjë që sigurisht do të thotë e para, një front i ri dhe kuptimplotë punësimi; e dyta, punësim cilësor, pasi këtu kërkohen një seri specialitetesh, ashtu sikundër edhe të gjitha kategoritë që nga puna e inxhinierëve, tek puna e teknikëve dhe tek puna e gjithë shërbimeve mbështetëse”, nënvizoi Rama, duke shtuar se do të jetë një punë e mirëpaguar.
E treta, vijoi Rama, shumë e rëndësishme edhe kjo, duke zhvilluar këtë industri ne nuk rrisim thjesht kapacitetet tona mbrojtëse, por rrisim në mënyrë të ndjeshme ekonominë tonë, ekonominë vendore dhe ekonominë kombëtare.
Ai vuri në dukje se do të vijojnë investimet për mbrojtjen si dhe rritja e pagave për ushtarakët.
“Dua t’ju shpjegoj me pak fjalë, edhe për ata që na ndjekin, se si e kemi konceptuar ne këtë zhvillim për të cilin faktikisht e kemi filluar punën qysh pas agresionit rus në Ukrainë. Kemi krijuar agjenci të posaçme për industrinë e mbrojtjes, kemi krijuar ndërmarrjen shtetërore dhe filozofia është që investimet në rritje për mbrojtjen, që janë investime që po i bëjnë të gjitha vendet dhe të cilat ne i kemi kanalizuar për disa gjëra themelore që mungonin, një prej të cilave kryesorja rritja shumë domethënëse e pagave të ushtarakëve tanë që ishin më të keqpaguar e gjitha rajonit, se në NATO nuk llogaritet fare, ndërkohë që sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajonin tonë”, tha Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “synojmë të rrisim pagat çdo vit për të arritur në mesataren e NATO-s dhe patjetër që kemi parë që kjo ka sjellë një rritje të interesit për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura”.
/k.s/r.e/a.f/