E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nxjerr pamje nga aksioni: Hapësirat publike do të çlirohen të tëra, pa ndalim as përjashtim

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetin social Facebook të aksionit për lirimin e hapësira publike, si pjesë e përgatitjeve për zbatimin e programit të ri “Rilindja Urbane 2.0”.

Kreu i qeverisë deklaron se hapësirat publike do të çlirohen të gjitha pa ndalim e përjashtim.

“Hapësirat publike do të çlirohen të tëra, pa ndalim as përjashtim”, shkruan ai.

Aksioni për lirimin e trotuareve nga shtesa apo objekte pa leje nisi fillimisht me Tiranën, por kryeministri ka siguruar se ai do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, Rilindja Urbane 2.0 nuk do të tolerojë asnjë individ apo subjekt që cenon cilësinë e jetës së qytetarëve, duke zaptuar hapësira publike.

Në shërbim të kësaj, qeveria u ka dhënë mundësi qytetarëve që të denoncojnë në konfidencialitet rastet e abuzimeve me hapësirat publike, duke garantuar se nuk do të tolerohet askush.

Aksioni është shtrirë në të gjitha bashkitë e vendit, ku qytetarët janë ftuar që vullnetarisht të lirojnë hapësirat publike, dhe në rastet kur nuk veprojnë vullnetarisht, atëherë kanë ndërhyrë strukturat shtetërore.

Rilindja Urbane 2.0 parashikon edhe lirimin e hapësirave në akset e rrugëve kombëtare, ku subjektet janë ftuar që të zbatojnë ligjin. Në të kundërt, do të jenë objekt i ndëshkimit dhe prishjes së strukturave të zaptuara në kundërshtim me ligjin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›