Vasili: Barazia gjinore në RTSH dhe median shqiptare është një luftë e përditshme

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili në fjalën e saj në konferencën kombëtare për barazinë gjinore në media, deklaroi se RTSH si një transmetues publik punon çdo ditë për të gjetur zgjidhje të drejtpërdrejta. Vasili theksoi se barazia gjinore në RTSH dhe median shqiptare, është një luftë e përditshme.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH shtoi se, është fakt që në median shqiptare ka pak përfaqësim të grave si eksperte, paneliste apo edhe si drejtuese të mediave. Referuar kësaj të fundit, Vasili shtoi se ka disa përmirësime të vogla.
“Është fakt që në median shqiptare kemi pak përfaqësim të grave si eksperte, si paneliste apo si drejtuese të mediave. Së fundmi kjo panoramë ka disa përmirësime aty këtu.
Pamja që ofrohet në trajtimin e mediave eshtë jorealiste dhe përforcon idenë se vetëm burrat kanë autoritet për çështje publike, ekonomike, politike. Kjo duket më shumë në panelet e mbrëmjes. Opinionistët janë kryesisht burra dhe analiza politike shumë rrallë i besohet grave. Kjo jo vetëm se moderatët nuk pëlqejnë gratë, flas nga pozita e një njeriu që ka bërë 20 vite media dhe ka drejtuar një program në 20 vite në prime time”, deklaroi Vasili.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, nënvizoi më tej se vendimarrjet për daljen në media të grave janë të centralizuara. Ajo theksoi se zëri i grave vijon të mbetet i heshtur në vendimarrje apo formësimin e opinionit publik.
“Vendimarrjet kryesisht për daljet në media janë të centralizuara dhe jo gjithmonë mund të shkosh drejtpërdrejtë te gratë ose ato janë të lira të vijnë te ty.
Gjithsesi kjo bën që zëri i grave të mbetet i heshtur në vendimarrje apo dhe në formësimin e opinionit publik
Duke qenë transmetues publik, gjithseesi RTSH e ka këtë problematikë parasysh dhe punon çdo ditë të dalë përtej saj dhe të gjejë zgjidhje të drejtpërdrejta.
Mbetem një gazetare në profesion. Barazia gjinore në RTSH dhe median shqiptare është një luftë e përditshme. Vijon të jetë e tillë në të gjithë botën”, përfundoi Vasili.
/rtsh.al/