E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për protestën: S’po luftohet që problemi të zgjidhet, por që mos të mbarojë

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste se një pjesë e debatit publik dhe politik ushqehet nga mekanizma që favorizojnë konfliktin dhe kundërshtimin e vazhdueshëm, pavarësisht objektit të kritikës.

Rama theksoi se ankesa dhe kritika janë elementë normalë e të nevojshëm në një shoqëri demokratike, por problemi lind kur ato shndërrohen në identitet.

“Ankesa është normale. Kritika është shumë e nevojshme, ajo është motori i përparimit. Problemi fillon kur ankesa pushon së qeni mjet dhe kritika bëhet identitet, kur njeriu nuk lufton më që problemi të zgjidhet, por lufton që problemi të mos mbarojë kurrë, sepse kur problemi zgjidhet duhet gjetur një problem tjetër”, deklaroi Rama.

Sipas tij, në këto raste rëndësi nuk ka objekti i kundërshtimit, por vazhdimësia e konfliktit. “Një pjesë e lëvizjeve politike nuk ndërtohen mbi atë që pjesëmarrësit duan të ndërtojnë, por mbi atë që duan të mos ndryshojë kurrë. Sot është një projekt, nesër është një ligj, pasnesër një ministër, më pas një ambasador. Sepse nuk ka objekt, rëndësi ka që motori të mos fiket dhe zhurma e tij të mos pushojë”, u shpreh ai.

Kryeministri nënvizoi se kritika mbetet thelbësore për demokracinë dhe përmirësimin e qeverisjes, por sipas tij, “problemi është kur objekti i kritikës bëhet më pak i rëndësishëm se vetë nevoja për të bërë kritikë dhe kur zgjidhja bëhet problem për kauzën, sepse një problem i zgjidhur nuk prodhon më zemërim”.

“Shoqëritë demokratike jetojnë falë kritikës, problemi është kur objekti i kritikës bëhet më pak i rëndësishëm se vetë nevoja për të bërë kritikë dhe zgjidhja bëhet problem i kauzës dhe nuk prodhon më zemërim dhe kjo është konkrete. Që në ditën e dytë të protestës, që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të flasin, nuk ka negociata”, deklaroi Rama.

Rama tha se ky nuk është një fenomen shqiptar, por një dukuri universale politike, e cila sipas tij është forcuar nga mënyra se si funksionojnë rrjetet sociale.

“Kush mendon se me like dhe followers bën politikë, ose bën vetëm politikë, gabon. Me likes bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit që përmes algoritmeve pasurohen çdo ditë. Algoritmi nuk shpërblen qetësinë, sepse qetësia është armik i algoritmit. Algoritmi nuk shpërblen nuancat, nuk e do arsyen, por shpërblen konfliktin, indinjatën dhe frikësimin e të tjerëve, sepse frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, protestat dhe debatet publike po përdoren gjithnjë e më shumë si material për rrjetet sociale.

“Për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike, sa më shumë zemërim aq më shumë shikueshmëri, ndikim, pushtet, mbi skllevërit e algoritmeve. Kjo është arsyeja pse sot protestat nuk zhvillohen vetëm në shesh, por kanë nevojë për një shesh thjesht si përfaqësim i një lukunie që proteston në algoritëm. Madje sheshi është studio televizive, është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë. Kjo është beteja e kohë sonë, s’ka lidhje me të majtën dhe të djathtën, por me konfliktin. Kush kërkon like dhe follow me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij”, tha Rama.

/e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›