E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Zvërneci”, histori paralajmëruese për demokracinë në epokën e algoritmit

TIRANË, 20 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se situata e krijuar lidhur me investimin në Zvërnec është një histori paralajmëruese për demokracinë në epokën e algoritmit.

Në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Rama nënvizoi nevojën që PS e para me përgjegjësinë e atyre që kanë mandatin të udhëheqin Shqipërinë duhet ta lexojmë këtë histori sa më drejtë për të qenë të përgatitur sa më mirë për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi.

Rama foli edhe reagimet ndërkombëtare kundër këtij investimi, ndërsa shtoi se miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin.

“Jo sepse studiuan Shqipërinë, lexuan dokumentacionin, analizuan projektin, por sepse tek brishtësia e bukur e një zogu identifikuan simbolin e një rezistence antikapitaliste dhe antiTrampiste, duke gjetur tek ai zog valvulën e shfryrjes së një mllefi total, ku më bukur se asnjëherë u hap edhe një kanal për mllefin kundër meje dhe kundër PS-së”, shtoi Rama.

Rama theksoi se “ky është mësimi i parë i kësaj historie”.

“Kjo kohë e re ku dhe një rrahje lokale bëhet përplasje globale nuk transporton më vetëm mallra, dije, mundësi të reja apo miqësi të reja. Transporton zemërime, identitete politike, fetare, sociale, paragjykime, agresione dhe gënjeshtra shumë më shpejt sesa transporton faktet, arsyetimet e mirëkuptimet”, shtoi ai.

Kjo në vetvete, sipas kryeministrit, është risia e kohës që ne jetojmë.

“Një kohë ku algoritmet udhëtojnë më shpejt sesa vërtetësia e lajmeve, ku emocionet mbërrijnë përpara fakteve dhe ku shumë shpesh perceptimi bëhet e vërteta, ndërsa e vërteta mbetet krejt jetime”, shtoi ai.

Rama theksoi se kjo është një histori paralajmëruese. “Jo për mandatin tim, as për mandatin e kësaj shumice qeverisëse, por për demokracinë në epokën e algoritmit, si dhe për nevojën që ne të parët me përgjegjësinë e atyre që kanë mandatin të udhëheqin Shqipërinë ta lexojmë këtë histori sa më drejtë për të qenë të përgatitur sa më mirë për çfarë vjen më tutje sepse ky është vetëm fillimi”, theksoi Kryeministri. /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›