E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama përsërit thirrjen për dialog, studentët kërkojnë dorëheqjen e tij. Vijon bojkoti i mësimit në Universitete

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog drejtuar studentëve protestues, të cilët prej disa javësh vijojnë protestat në Tiranë, duke kërkuar largimin e tij nga detyra.

Përmes një publikimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka ndarë sërish fotografinë e tryezës prej guri, ku ka vendosur shënimet me mbishkrimin “Dialog”, duke përcjellë mesazhin se mbetet i hapur për komunikim me studentët.

Megjithatë, protestuesit kanë refuzuar deri më tani ftesat e kryeministrit, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e Ramës.

Protestat vijojnë prej disa javësh në kryeqytet, ku studentët organizojnë marshime në rrugët e Tiranës dhe ndalesa pranë fakulteteve të ndryshme, me synimin për të zgjeruar mbështetjen për lëvizjen e tyre.

Në krah të tyre janë bashkuar edhe pedagogë, të cilët kanë shprehur publikisht solidaritetin me protestuesit.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›