Carrick në “fije të perit”, Man.United ia ofron stolin një kampioni bote

Triumfi me përmbysje përballë Romës në Champions League vetëm sa i dha pak frymëmarrje trajnerit Michael Carrick pasi e ardhmja e tij në krye të Man.United mbetet në dyshim të fortë. “Djajtë e kuq” ndodhen në pozita aspak komode në Premier League, në vendin e 17-të me vetëm 7 pikë në 9 javë, 2 pikë më shumë se vendi i fundit.
Nëse ekipi i tij nuk reagon shpejt, duke nisur që nga kjo fundjavë ku presin Aston Villa-n në “Old Trafford”, atëherë pozicioni i tij do të rishikohet sërish pasi në kushte të tilla bëhet thuajse e pamundur që United të rikthehet në garë për të siguruar një vend në Evropë sezonin e ardhshëm. Nga Franca, mediat, zbulojnë se drejtuesit e Man.United janë vënë në lëvizje prej kohësh për të gjetur pasuesin e tij.
Sipas “Footmercato”, “djajtë e kuq” kanë kontaktuar një ikonë si Dider Deschamps, me këtë të fundit që është i papunë që pas largimit nga Franca. Drejtuesit e Man.United kërkojnë të kuptojnë nëse legjenda franceze është gati të rikthehet në stol, por gjithnjë sipas “Footmercato”, Deschamps i ka kërkuar pak më shumë kohë për të vendosur në lidhje me ofertën e tyre.
Pranon ose jo Deschamps, Michael Carrick është i vetëdijshëm se ekipi duhet të rikthehet me çdo kusht te fitorja në Angli, në të kundërt e pret shkarkimi edhe pse është nën kontratë deri në vitin 2028.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb