E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Ivanka Trump pas qëndrimit prej ditës së djeshme në Vlorë mbërriti mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Sipas medieve Ivanka Trump u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Vlorës, ku u takua dhe darkoi me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Ivanka Trump mbërriti dje në qytetin bregdetar të Vlorës e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Vizita e saj vijon pa asnjë njoftim zyrtar për agjendën, me synim kryesor vijimin e projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti i saj jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në gjirin e Vlorës, në zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik elitar në këto zona.

Ivanka Trump ka qenë disa herë në Shqipëri në gjirin e Vlorës, të cilin e ka vizituar edhe duke udhëtuar me helikopter.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›