Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së rrjetit “Safe Journalists”, duke e cilësuar atë si një keqkuptim të shtrembëruar të qëndrimit të tij mbi Transmetuesin Publik Shqiptar (RTSH).
Rrjeti “Safe Journalists” ngriti shqetësimin në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Rama sa i takon transmetuesit televiziv publik RTSH duke reaguar se “lidhja e financimit ose ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias”.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se po krijohet “një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë”, duke iu referuar reagimeve që, sipas tij, nuk pasqyrojnë thelbin e deklaratave të bëra prej tij.
“Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar”, shkroi Rama.
Kryeministri ftoi autorët e deklaratës së “Safe Journalists” që ta lexojnë ose dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar mesazhin real.
“I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues. Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit”, shkroi Rama.
/gj.m/j.p/