E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama reagon ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve: Shqetësimin për pagat e kam shprehur si palë në gjyq

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur nga kreu i qeverisë, për një përpjekje, që sipas tij, “është e pajustifikueshme, është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme, për t’iu imponuar parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq”.

Në një komunikim nëpërmjet rrjeteve sociale, Rama u shpreh se këtë shqetësim publik e ka shprehur si palë, në emër të një pale.

“Një pale me të drejtën për të mbrojtur interesin e vet, në këtë rast publik, në gjykatë. Pra në emër të pushtetit ekzekutiv. Po edhe si kryetar i shumicës parlamentare”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “është e hera e dytë që ndodh që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur në fakt unë flas në emër të çka përfaqësoj me votën e shqiptarëve, në mbrojtje të një interesi për të cilin jemi në gjyq. Pra jemi palë”.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›