E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama solidarizohet me vajzën vlonjate: U masakrua online sepse nuk besonte tek protesta

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot solidaritetin me një vajzë vlonjate e cila, sipas tij u “masakrua online” sepse nuk besonte tek protesta.

“Këtë koment nga kjo faqe, po e postoj pikërisht si shprehje solidariteti me një vajzë vlonjate që nuk e njoh, të cilën për shkak se nuk beson tek protesta e kanë masakruar online korbat e fshehur nën pupla flamingosh… Respekt”, shkruan Rama.

Më poshtë komenti i plotë i Juna Haxhiaj:

Të them të drejtën, nuk e kuptoj thelbin e kësaj proteste. Kjo rinia që u ngrit për flamingot, të cilat nuk i kanë parë ndonjëherë me sy, është e njëjta rini që nuk lëviz gishtin për të kërkuar ashpërsim të ligjeve për dhunën në familje, apo për të drejtat e djemve shqiptarë nëpër burgjet e botës.

Rikujtoj këtu rastin e Ilia Karelit në burgun grek, kur unë dhe 30 veta u ngritëm të protestonim, por të rinjtë na shikonin nga kafet dhe qeshnin, apo të kërkojnë një bisedë për probleme të tjera.

Por për flamingot reagojnë, dhe për Nartën, të cilën nuk e dinë as se ku bie në hartë, janë gati të bëjnë të ashtuquajturin “revolucion”.

Kërkojnë dorëheqjen tuaj për ministra apo kryetarë që janë në SPAK. Por një pyetje kam: kush kërkoi të krijohej SPAK-u? Në kohën e PD-së, edhe kur dilnin video të filmuara, prapë Berisha bënte namin duke i mbrojtur. Rikujtoj këtu rastin e “mbërtheckave”.

E kam filluar punën në shtet kur iku PD-ja, me 580 mijë lekë të vjetra pagë, dhe sot e kam 980 mijë. Patjetër që ka njerëz që janë në vështirësi të mëdha ekonomike, por pagat kanë ndryshuar dhe kushtet e punës janë përmirësuar nga viti në vit.

E mbanim gjeneratorin gati për dritat që na iknin. Kishim frikë të dilnim në protestë, sepse vinte e gjithë policia e shtetit me uniforma të zhubrosura dhe me kanatiere që u dilnin nga barku, dhe rrihnin protestuesit, apo edhe më keq, ndodhte një 21 Janar.

Droga, prostitucioni dhe vjedhjet ishin lajmi i ditës, por pa u goditur asnjëherë nga ligji. Patjetër që ka edhe sot, por të paktën shohim çdo ditë në lajme se si goditen nga drejtësia.

Në mbledhjet e BE-së apo kudo në botë ishim të papërfaqësuar, sepse askush nuk e konsideronte Berishën apo ministrat e tij.

Për çfarë po protestohet sot? Vërtet do ky popull t’i rikthehet asaj kohe? Dhe a është vërtet populli që e do këtë gjë, apo janë thjesht njerëz që pretendojnë se përfaqësojnë popullin?

Popull jam edhe unë, por nuk mendoj si ata. Popull jam edhe unë, por nuk e dua dorëheqjen tuaj. Popull jam edhe unë, por nuk shaj. Nuk shaj femrat që kanë mendim ndryshe nga unë dhe nuk sulmoj njerëzit me libër shtëpie vetëm sepse nuk më pëlqen logjika e tyre.

Po, dua që Narta, të cilën e njoh përmendësh sepse jam vetë vlonjat, të ketë një investim super të denjë dhe të konkurrojë krah për krah me Greqinë, Italinë apo çdo shtet tjetër për turizëm. Dua ta shoh emrin e Nartës dhe të Vlorës të përmendet kudo.

Si mund të besoj unë te ndryshimi, kur një koment i tillë pasohet me 1000 sharje, mallkime dhe fyerje vetëm sepse është ndryshe? Quhemi “sufllaqexhinj”, “servilë”, apo edhe më keq, “kurva”, vetëm pse nuk mendojmë si ata.

Si mund të bëhet ky bullizim online dhe kjo dhunë verbale vetëm sepse nuk ndan të njëjtin mendim? Pse duhet ta respektoj mendimin e tyre, ndërsa për mendimin tim duhet të marr sharje dhe mallkime?

Kjo është Shqipëria e sigurt? Shqipëria e sigurt fillon me argumente, fillon me propozime, fillon me bashkëbisedime për më të mirën e Shqipërisë.

Kur të shikoj që një nga kushtet të jetë kërkesa për ashpërsimin e ligjeve për dhunën në familje, për të kërkuar drejtësi për të gjithë djemtë shqiptarë që ndodhen në burgjet e botës dhe nënat e tyre nuk e dinë ku ndodhen, kur të shikoj që kërkohet një Shqipëri ku mund të komentosh pa frikë se do të shahesh me libër shtëpie, duke mos harruar se nuk jemi më në diktaturë, atëherë do të besoj në këtë protestë.

Deri në momentin që të shikoj diçka të tillë, nuk kam pse të protestoj.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›