E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama takon të rinjtë që aplikuan për Akademinë Politike të PS-së

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Akademisë Politike të Partisë Socialiste, e cila u konkretizua përmes aplikimeve të gjithë të interesuarve. Ajo ishte e hapur edhe për aplikime jashtë vendit.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në platformat sociale. Aplikimi u hap më 9 prill për regjistrimet në Akademinë Politike dhe erdhi si rezultat, sipas drejtuesve socialistë, “i rienergjizimit” të kësaj force politike.

Në Akademinë Politike regjistrohen të rinj që duan të mësojnë më shumë për historinë dhe idetë e partive progresiste, si dhe të Partisë Socialiste.

Rama, pak javë më parë, bëri të ditur se të rinjtë që bëhen pjesë e Akademisë Politike, dhe që duan të angazhohen disa orën në javë nga koha e tyre e lire, do të kenë mundësi edhe të komunikojnë me figura të spikatura të së majtës evropiane, por edhe aktivistë në partitë e Internacionalen Socialiste, si dhe me pedagogë shqiptarë e të huaj.

“Një eksperiencë e re për të rinjtë e të rejat që duan të angazhojnë disa orë në javë nga koha e lirë, për të mësuar më shumë mbi historinë, idetë, zhvillimet e lëvizjeve e partive progresiste dhe sigurisht Partinë Socialiste të Shqipërisë, përmes komunikimit me protagonistë të saj, figura të spikatura të së majtës evropiane me histori në qeverisjen e vendeve të BE-së, aktivistë në partitë e Internacionales Socialiste apo Partinë e Socialistëve Evropianë, pedagogë të teorisë politike në universitete shqiptare e të huaja, si edhe opinionistë e gazetarë të njohur në mediat ndërkombëtare”, e ka komentuar Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›