Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim - ATSH -
PRISHTINË, 4 nëntor /ATSH/ Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.
Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.
Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.
Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.
Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.
Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.
Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.
Politika pengoi reformat
Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.
Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.
Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.
Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.
Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.
Drejtësia, një nga pikat më të dobëta
Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.
Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.
Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.
Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.
Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.
Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.
Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.
Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë
Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.
Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.
Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.
Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.
Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Media të lira, por me sfida
Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.
Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.
Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara
Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.
Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.
Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.
Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.
Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.
Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.
Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.
Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
