E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i INSTAT-it: Bien eksportet, thellohet deficiti tregtar



Shqipëria po del me humbje edhe në tregtinë e jashtme. Rënia e eksporteve krahasuar me një muaj më parë, si edhe rritja e ndjeshme e importimit të mallrave nga jashtë kanë thelluar më tej deficitin tregtar të vendit. Sipas raportimit më të fundit të INSTAT rënien më të ndjeshme e ka pasur eksporti i energjisë elektrike. Nga të dhënat, rezulton se në fund të muajit korrik deficiti tregtar arriti vlerën e 31 miliardë lekëve, duke shënuar rritje të ndjeshme si kundrejt tremujorit të mëparshëm ashtu edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Thellimi i deficitit erdhi si pasojë e rritjes më të madhe të importeve kundrejt eksporteve. Rreth 65.6 për qind të shkëmbimeve tregtare, Shqipëria e realizon me vendet e Bashkimit Europian, në një kohë që Italia dhe Greqia vazhdojnë të mbeten partnerët kryesorë tregtarë me të cilët kryhet pjesa dërrmuese e eksporteve dhe importeve.

Eksportet
Eksportet kanë pësuar një rritje me rreth 39.3 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që kanë pësuar një ulje me 18,6 kaluar me muajin paraardhës. Në një konferencë për shtyp, Alma Mara specialiste e tregtisë me jashtë në INSTAT deklaroi se, deficiti tregtar ka pësuar një rritje me 27.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Ndërkohë që në bazë të nëngrupeve rritje më të madhe me rreth 46 për qind ka pësuar grupi lëkurë dhe artikuj të tyre. Po me të njëjtën përqindje por që ka pësuar edhe uljen më të madhe ka qenë nëngrupi i minerale, lëndë djegëse, energji elektrike. Tregtia e jashtme vazhdon që të realizohet kryesisht me vendet e BE-së me rreth 65.5 për qind. Eksporti me Italinë është dhe më i madhi me rreth 58 për qind. Në korrik 2010 u eksportuan 13,464 milionë lekë mallra, me një ulje prej 18.6 për qind në krahasim me qershorin e po këtij viti dhe me rritje me 39.3 për qind në krahasim me korrik 2009. U importuan 44,501 milionë lekë mallra me rritje 8.8 për qind në krahasim me qershorin 2010 dhe rritje 21 për qind në krahasim me korrikun 2009.

Deficiti
Deficiti tregtar i këtij muaji është 31,037 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 27.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 14.5 për qind krahasuar me muajin korrik të vitit 2009. Me Italinë eksporti është 58 për qind dhe importi 30.6 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.6 për qind dhe importi 11.1 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Britani e Madhe, Gjermani, Itali, Kosovë, SHBA, etj, dhe për importin, Austri, Itali, Spanjë, Kosovë, Turqi, etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që: Eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 46 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 7.8 për qind. Eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 46.1 për qind. Importi i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 30.4 për qind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 20.8 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 16.5 për qind. Importi i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u ul 6.9 për qind. Në korrik 2010, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 6,679 milionë lekë, duke zënë 15 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me qershorin 2010, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 5.1 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 66.1 për qind, e zënë nënproduktet e naftës.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›