Raportuesi i PE, Schieder: Të fuqizohet lufta kundër korrupsionit. Mbështesim punën e SPAK, thelbësore që të mos ndërpritet nga aktorë të tjerë

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në vend. Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë kritike sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar angazhimin e fortë politik të institucioneve shqiptare për anëtarësim.
“Shqipëria ndodhet në fazë kritike sa i përket integrimit në BE. Unë kam mirëpritur angazhimin e fortë politik të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, i cili është kritik për anëtarësimin në BE. Ndërmjet muajve mars dhe prill, Komisioni do të prezantojë një vlerësim të rëndësishëm. Në rast se shtetet anëtare në Këshill japin mbështetjen e tyre, kjo do të lejojë Shqipërinë të vijojë negociatat dhe më e rëndësishmja edhe të mbyllë kapitujt,” u shpreh Schieder.
Eurodeputeti nënvizoi se disa hapa kritikë mbeten ende për t’u ndërmarrë, duke përfshirë fuqizimin e luftës kundër korrupsuionit dhe financimin e mediave.
“Disa hapa kritikë mbeten para nesh. Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, të dekriminalizojë shpifjen dhe të sigurojë transparencën e pronësisë së medias dhe financimit të medias ndër të tjera” tha ai.
Schieder u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme të procesit të integrimit. Ai theksoi mbështetjen ndaj punës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), teksa shtoi se është “thelbësore” që puna e këtij institucioni të mos ndërpritet nga aktorë të tjerë.
“Ne kemi mirëpritur ecurinë që kemi parë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mbetemi në pritje të përfundimit të procesit sipas afatit. Ne mbështesim tërësisht punë e SPAK për të sjellë edhe njëherë kulturën e integritetit dhe restaurimin e besimit të qyfterëve te institucionet publike. Është thelbësore që puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe që institucionet e tjera të mbështesin punë e SPAK. Reforma në drejtësi ka përmirësuar perceptimin publikut jashtë Shqipërisë dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndaj çdo ndryshim që minon reformën në drejtësi dhe punën e SPAK mund të sjellë një dëm shumë të rëndë të reputacionit të Shqipërisë dhe mund të vërë në rrezik ndryshimin e këtij historiku që ka patur Shqipëria gjatë viteve të fundit”, theksoi ai.
Schieder i bëri thirrje aktorëve politikë në Shqipëri për dialog, teksa theksoi se partitë duhet të luftojnë me forcën e argumentit dhe jo me molotovë.
“Si politikan ti ke mendimin tënd personal, mendimin tënd politik, por duhet të përmbushësh edhe rolin tënd institucional. Ne si Parlament Europian mendojmë se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara. Të mos traumatizohet gjithçka, të mos fillohet me kokteje molotovi etj., por të luftohet fort me argumentime, me argumente të forta në skenën politike, aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë e duan anëtarësimin në BE dhe kjo është gjëja më e mirë që mund t’i tregojë Shqipëria Europës, që është një vend i bashkuar.
Shqipëria ka patur një ecuri madhore në negociata dhe në Konferencën Ndërqeveritare dhe nëse vlerësimi i Komisionit do të ecë mirë në pranverë, Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapituj. Për mbylljen e kapitujve nuk është puna vetëm te legjislacioni, ideja e miratimit të legjislacionit është që duhet t’i afrohemi standardeve europiane në zbatim”, deklaroi ai.
/rtsh.al/