E Diel, 1 Nëntor 2026

Re: Reformat për pronësinë dhe sigurinë juridike, kyçe për integrimin europian të Shqipërisë

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Giulia Re, deklaroi sot se reformat që lidhen me të drejtat pronësore, sigurinë juridike dhe transparencën janë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit europian.

Gjatë konferencës rajonale “Nga Prona te Progresi”, e zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Re vuri theksin te rëndësia e transformimit digjital dhe forcimit të administratës publike në funksion të qytetarëve.

Ajo e cilësoi praninë e institucioneve dhe partnerëve në këtë aktivitet si dëshmi të angazhimit për garantimin e sigurisë juridike dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Sipas saj, fushata ndërgjegjësuese audiovizuale e ndërmarrë në kuadër të reformës u ka ofruar qytetarëve informacione të aksesueshme mbi procedurat kyçe, vetëm përmes disa klikimeve.

Re bëri të ditur gjithashtu se Shoqëria Shqiptare për Ndihmë Juridike ka ofruar ndihmë juridike, udhëzime dhe mbështetje për rreth 2700 qytetarë.

“Këta qytetarë nuk janë thjesht shifra, por familje, individë dhe persona që kërkojnë jo vetëm zgjidhje, por edhe garanci dhe njohje të të drejtave të tyre. Ky është qëllimi i kësaj reforme”, u shpreh ajo.

Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës theksoi se për Shqipërinë dhe vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, reformat që lidhen me të drejtat pronësore, garancitë ligjore, transparencën dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut përbëjnë pjesë thelbësore të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Ajo nënvizoi se sistemet transparente dhe të besueshme të pronësisë, jo vetëm që forcojnë shtetin e së drejtës, por ndikojnë edhe në uljen e korrupsionit dhe në mbështetjen e zhvillimit ekonomik.

Sipas Re, digjitalizimi luan një rol kyç në këtë proces, pasi redukton pasigurinë, rrit gjurmueshmërinë dhe garanton që institucionet t’u shërbejnë qytetarëve me më shumë efikasitet.

“Ky dialog rajonal është shumë i rëndësishëm, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë për të mësuar nga njëri-tjetri. Së bashku, ne nuk forcojmë vetëm sistemet administrative, por edhe hapësirën tonë të përbashkët europiane”, tha ajo.

Re solli gjithashtu në vëmendje deklaratën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, i cili ka theksuar se Europa dhe qëndrueshmëria duhet të garantohen nga forca e rregullave dhe respektimi i parimeve demokratike.

Ajo vuri theksin në faktin se suksesi i reformave nuk matet vetëm me sistemet dhe legjislacionin, por edhe me besimin që qytetarët krijojnë ndaj institucioneve.

“Reformat pasqyrohen në besimin e qytetarëve për t’iu afruar institucioneve dhe për të thënë: kjo është shtëpia ime, kjo është e drejta ime dhe ju do të na mbroni”, deklaroi Re.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›