E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimet pas aktgjykimit në Hagë, Dua Lipa dhe Rita Ora me mesazhe për Kosovën

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Dy këngëtaret nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë reaguar sot pas aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Dua Lipa shpërndau të dhëna mbi krimet e Serbisë në Kosovë. Ajo shpërndau në Instagram dy postime të babait dhe menaxherit të saj, Dukagjin Lipa.

Në njërën prej tyre shfaqej mesazhi “Liria ka emër”, i shoqëruar me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në postimin tjetër ishin renditur disa nga shifrat që lidhen me pasojat e luftës në Kosovë.

“1 milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1024 fëmijë të vrarë, 20 mijë të dhunuar, 1600 njerëz ende mungojnë”, thuhet në materialin e shpërndarë.

Edhe Rita Ora ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se “luftohej për Kosovën, të cilën sot e quajmë shtëpi”.

Në një postim në Instagram Story, artistja ka ndarë një imazh simbolik me emblemën e UÇK-së, të shoqëruar me mbishkrimin: “Fighting for the Kosovo, we call home today” (Duke luftuar për Kosovën, që sot e quajmë shtëpi).

Përmes këtij postimi, Ora ka shprehur mbështetjen e saj për trashëgiminë e luftës çlirimtare dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

1 nga 2 /a.f/r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›