E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reagimet për zgjedhjet amerikane/ Europa merr frymë, Moska mban frymë

schedule15:13 - 4 Nëntor, 2026

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka sjellë reagime të shumta në arenën ndërkombëtare. Krerë shtetesh, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme kanë komentuar rezultatin, duke u ndalur te ndikimi i tij në politikën e brendshme amerikane, marrëdhëniet ndërkombëtare, luftën në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë globale.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ishte ndër të parët që reagoi pas rezultateve, duke theksuar se qytetarët amerikanë kërkojnë një politikë që bashkon dhe jo që përçan, si dhe drejtues që ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet e tyre. Obama vlerësoi gjithashtu kandidatët demokratë për rezultatet e arritura në disa zona të vendit.

“Populli amerikan dha një mesazh të qartë: ata duan një politikë që bashkon njerëzit, jo që i ndan, dhe drejtues që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen. Ata kishin prejardhje dhe bindje të ndryshme politike, por i bashkonte besimi te shërbimi publik”, tha Barack Obama.

Nga Evropa, kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, përmes një reagimi në platformën X, e cilësoi votën e qytetarëve amerikanë si një kundërshtim ndaj politikave që, sipas tij, thellojnë varfërinë dhe përçarjen shoqërore. Ai përmendi gjithashtu çështje si diskriminimi, ndryshimet klimatike dhe privilegjet e elitave.

“Populli amerikan votoi kundër politikave që shërbejnë vetëm për t’i varfëruar njerëzit. Kundër urrejtjes, seksizmit, mohimit të ndryshimeve klimatike dhe privilegjeve të elitave”, tha Pedro Sánchez.

Edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Christel Schaldemose, komentoi rezultatin, duke u ndalur te ndikimi që ai mund të ketë në çështjet kryesore ndërkombëtare. Ajo përmendi në mënyrë të veçantë mbështetjen për Ukrainën, tranzicionin e gjelbër dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës.

“Jo sepse tani gjithçka do të ndryshojë për mirë, por sepse kjo mund të ndihmojë mbështetjen për Ukrainën, tranzicionin e gjelbër dhe marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës”, shtoi Christel Schaldemose.

Një qëndrim më të përqendruar te marrëdhëniet dypalëshe mbajti Greqia. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, deklaroi se rezultati i zgjedhjeve nuk do të ndikojë në partneritetin strategjik mes Athinës dhe Uashingtonit. Ai theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë, veçanërisht në projektet dhe marrëveshjet me rëndësi strategjike.

“SHBA-ja është aleati ynë strategjik dhe kjo marrëdhënie do të vazhdojë për të gjitha projektet dhe marrëveshjet e rëndësishme. Asgjë nuk do të ndikohet nga ky rezultat”, tha Pavlos Marinakis.

Nga Norvegjia, kryeministri Jonas Gahr Støre e vlerësoi rezultatin si një sinjal të fuqishëm politik për ndryshimin e qëndrimeve të elektoratit amerikan.

“Ky është një sinjal i fuqishëm politik për ndryshimin e drejtimit të votuesve amerikanë. Në politikën amerikane po shfaqen zëra që janë më pranë qëndrimeve tona sesa presidenti dhe administrata e tij, veçanërisht për klimën, mjedisin, politikën e jashtme dhe ndihmën për zhvillim”, tha Jonas Gahr Støre.

Ndryshe nga reagimet evropiane, Moska mbajti një qëndrim më të rezervuar. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, komentoi qëndrimet e demokratëve ndaj Rusisë, duke theksuar se ato mbeten kritike dhe se kjo nuk përbën një zhvillim të ri për Moskën.

“Qëndrimi i udhëheqjes së Partisë Demokratike ndaj marrëdhënieve me Rusinë është thellësisht negativ. Kjo nuk është diçka e re”, tha Sergei Ryabkov.

Ky rezultat zgjedhor ka rikthyer në vëmendje ndikimin e politikës amerikane në zhvillimet ndërkombëtare, duke ngritur pikëpyetje mbi drejtimin e ardhshëm të marrëdhënieve të Uashingtonit me aleatët dhe rivalët e tij në skenën globale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›