Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Të parandalohen financimet nga krimi dhe fuqitë e huaja. Ligji të mos bëhet barrë për partitë e vogla

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, duke folur për ligjin mbi financimin e partive politike, deklaroi se ky ligj ka si fokus jo vetëm rritjen e transparencës, por edhe shmangien e financimeve të partive nga bota e krimit dhe fuqi të huaja jo dashamirëse për demokracinë e vendit.
Ai shtoi gjithashtu se drafti po hartohet në bashkëpunim me opozitën dhe me ekspertë, në mënyrë që ligji të mos kthehet në barrë për partitë e vogla politike.
“Bashkë me opozitën kemi vendosur të kemi një draft të përbashkët për financimin e partive politike, në mënyrë që ky ligj të mos ketë inate partizane apo të mos paragjykohet, por të ketë rregulla të përbashkëta dhe të diskutohet me ekspertë. Drafti do të jetë gati dhe do t’i jepet për diskutim opinionit publik përpara se komisioni ta miratojë. Shëndeti financiar i partive politike është shumë i rëndësishëm, pasi partitë politike nuk janë organizata që vetëqeverisen, por janë thelbësore për vendin dhe për shëndetin demokratik. Sa më e madhe të jetë transparenca dhe konsolidimi i parimeve demokratike brenda partive, aq më e shëndetshme është edhe demokracia e një vendi. Ndërtimi i një ligji me parametrat dhe standardet që kërkon koha është një objektiv shumë i rëndësishëm i yni. Komisioni i Reformës Zgjedhore po përmirëson diçka që u shërben të gjitha forcave politike. Ligji duhet të jetë proporcional, në përputhje me traditën dhe kushtet e vendit, dhe të mos kthehet në një barrë të rëndë për partitë e vogla politike, të cilat mund ta kenë më të vështirë përmbushjen e kërkesave që burojnë nga ky ligj”, tha Gjiknuri.
Gjatë tryezës së konsultimit të zhvilluar me OSBE lidhur me reformën zgjedhore, Gjiknuri u shpreh se qëllimi është që ligji i ri të mos mbartë paragjykime, por të bazohet në rregulla të përbashkëta dhe standarde të qarta demokratike.
Gjiknuri theksoi se drafti do të diskutohet me ekspertë dhe më pas do t’i nënshtrohet konsultimit publik përpara miratimit në komision. Në procesin e konsultimeve do të japë opinionet e saj edhe ODIHR, si dhe ekspertë të pavarur, të cilët pritet të kontribuojnë me rekomandime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor.
“Duhet të parandalojmë fenomenet e ndikimeve të paligjshme në jetën e një vendi, si financimet nga bota kriminale, nga fuqi të huaja që synojnë destabilizimin e demokracisë, por edhe nga biznese me interesa të lidhura me politikën. ODIHR dhe organizata të tjera do të japin gjithashtu opinionet e tyre. Ekspertë të ndryshëm kanë punuar dhe do të paraqesin qëndrimet e tyre”, tha ai.
/rtsh.al/