E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma territoriale, Bylykbashi: Projektligji i PS-së dhe i PD-së të shqyrtohen bashkë

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi sot në parim projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkoi që nisma e opozitës për riorganizimin territorial të shqyrtohet së bashku me projektligjin e paraqitur nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste.

Bylykbashi tha se projektligji i PD-së parashikon ndarjen e vendit në 100 bashki, ndërsa propozimi i mazhorancës, synon 46 bashki. Ai e cilësoi këtë të fundit si një model që do të thellonte problemet e krijuara nga reforma territoriale e vitit 2014.

Deputeti i PD-së theksoi se ndarja e re duhet të garantojë përfaqësim, demokraci lokale dhe akses më të mirë të qytetarëve në shërbime.

“Ajo që ndodhi para 12 vjetësh nga tani në 2014-ën është një kontribut kryesor të erozionit demografik, institucional, ekonomik që ka pësuar Shqipëria. Ne i jemi përgjigjur, nevojës në konsultim me komunitetet.  Pikërisht mbi bazën e atij konsultimi, e përsëris dhe një herë ne vijmë me këtë propozim 100 bashki. 100-ta nuk është numër që është shënuar në ndonjë libër të shenjtë. Por i përgjigjet më mirë dhe sigurisht, nëse ne do të konsultonim dhe do të vazhdonte komisioni me konsensus punën, sigurisht që 46-ta është numër, do të ishte një numër të cilën dhe ju vetë, e dini vetë që nuk, nuk pranohet. Nuk ka rëndësi numri, rëndësi ka koncepti, funksionaliteti, funksionimi i bashkive, por jo funksionimi si e do Kryeministri dhe Këshillit të Ministrave”, tha ai.

Bylykbashi tha se Kushtetuta kërkon konsultim me popullsinë e komuniteteve që preken nga ndryshimet territoriale.

Ai kërkoi që dy nismat legjislative të ndiqnin të njëjtën procedurë dhe të shqyrtoheshin paralelisht nga komisioni.

“Ne kemi një projektligj i cili është, nuk është më prezantim, por është, është nismë legjislative konkrete e një grupi deputetësh, e cila është depozituar në Parlamentin e Shqipërisë. Që do të thotë për procedurë, të dyja nismat duhet të bashkohen. Ky komision nuk mund t’i ndajë. Duhet të bashkohen bashkë, duhet të ndiqet e njëjta metodologji konsultimi së paku. Duhet të bëhet e njëjta procedurë legjislative dhe dy projektligjet të shqyrtohen bashkë. Në çdo rast të bashkojë dy procedurat, dy nismat dhe në fund fare të arrijë në diskutimin në parim, nen për dhe në tërësi të një projektligji që kemi ne për detyrë”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, deklaroi se shqyrtimi i nismës së opozitës do të bëhet në momentin kur komisioni të kalojë në seancën e votimit në parim. Manja tha se puna do të vijojë me rendin e ditës dhe me shqyrtimin e projektligjit të paraqitur nga grupi i deputetëve të PS-së.

“Kur të jetë seanca e votimit në parim të nismës së një grupi deputetësh të PS-së, komisioni do të shprehet dhe për nismën tuaj. Ne do të vazhdojmë me shqyrtimin e nismës së një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Ne do të vijojmë me rendin e ditës”, tha ai.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›